Ambasadori amerikan takon ministrin, bisedojnë si të ruhet sistemi arsimor nga politika
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi sot është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe me drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, me të cilët u bisedua për sistemin arsimor në vendin tonë.
Bytyqi ka shkruar në Facebook se si rrjedhojë e takimit të sotëm, u pa si nevojë që të ketë transparencë, profesionalizëm dhe “ruajtje të sistemit që të mos bie në margjina politike”.
“Vëmendja e pareshtur amerikane në përkushtimin dhe gatishmërinë në krah të arsimit tonë, ndërtimit të një sistemi funksional e profesional, e shprehur edhe në takimin e sotëm, na bënë të shtojmë besimin se mund t’ia dalim. Siç e shprehi edhe Ambasadori Kosnett, sistemi i arsimit i bazuar në merita dhe transparencë është i domosdoshëm për t’ua mundësuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e saj.”, ka shkruar Bytyqi.
Tutje ministri Bytyqi ka thënë se ka falënderuar ambasadorin Kosnett, për qëndrimin në krah të arsimit kosovar, për të cilën ky dikaster ka shumë çfarë të konsultojë e mësojë.
“Duke qëndruar në krye të detyrës ne do të ia dalim ta bëjmë arsimin tonë një bazë suksesi për shoqërinë dhe ekonominë tonë.”, shtoi ai.