Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie

Ambasadori Amerikan Kërkon Hetim të Evazionit në Tatime

Ambasadori i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, kërkoi sot nga institucionet relevante në Kosovë që t’i hetojnë akuzat e fundit për evazion tatimor brenda Administratës Tatimore.

Komenti i diplomatit amerikan erdhi një ditë pasi emisioni “Jeta në Kosovë” transmetoi një hulumtim rreth mënyrës së si disa kompani fantome nëpër Kosovë po vidhnin në tatime.

Delawie gjithashtu kërkoi që shteti të vihet në mbrojtje të kallxuesve të korrupsionit, pasi që hetuesi brenda ATK-së, Murat Mehmeti, doli hapur për ta denoncuar fenomenin.

“Jam i lumtur që shoh diskutime serioze rreth evazionit tatimor në Kosovë. Shpresoj që të ketë një hetim transparent dhe të paanshëm si dhe mbrojtje të informatorëve”, tha ambasadori Delawie në këtë deklaratë.

Komenti i ambasadorit Greg Delawie në Twitter.
Komenti i ambasadorit Greg Delawie në Twitter.

Rreth këtij hulumtimi mbrëmë ka reaguar edhe ambasadori i Mbretërisë së bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Ndërsa sot, edhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka kërkuar që të bëhen hetime ndaj këtyre akuzave.