Ambasadorët e BE-së në Kosovë: Taksa po e pengon dialogun me Serbinë

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së Nataliya Apostolova dhe shefat e misioneve të BE-së në Kosovë kanë përsëritur shqetësimin e tyre të vazhdueshëm lidhur me vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas një njoftimi të lëshuar për medie thuhet se taksa paraqet një shkelje të qartë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ndikon negativisht në bashkëpunimin rajonal.

“BE-ja është donatori, investuesi dhe partneri tregtar më i madh i Kosovës. Barrierat tarifore dhe jotarifore në tregtinë e lirë, qofshin të imponuara nga Kosova apo ndonjë nga fqinjët e saj, pengojnë rrugën e rajonit drejt një ekonomie konkurruese të tregut dhe e bëjnë më pak tërheqës si vend për të investuar. Vendosja e taksës ka ndikuar negativisht në procesin e Dialogut me Serbinë”, thuhet në njoftim duke u bërë me dije se heqja e taksës do të mundësonte rifillimin të shpejtë të këtij Dialogu.

Në komunikatë thuhet se dialogu i suksesshëm që shpie në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

“Jemi të vetëdijshëm se suksesi i Dialogut varet nga shmangja nga veprimet e padobishme nga të dyja palët dhe rikujtojmë se BE-ja i ka kërkuar të dy palëve të veprojnë në përputhje me këtë; në këtë frymë i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të artikulojë qartë hapat konkretë që do të ndërmarrë për të mundësuar pezullimin e tarifës, ashtu që bashkëpunimi rajonal të mund të ecë përpara. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht ofertën e Komisionit Evropian për të ndihmuar në heqjen e pengesave jo-tarifore me të cilat ballafaqohen eksportet e Kosovës në rajon”, përfundon komunikata.