Ambasada Gjermane Organizon Debat për Holokaustin në Kosovë

Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe “Forum ZFD”, sot do të organizojnë diskutim publik me temë “Holokausti në Kosovë dhe rajon, një përmbledhje e dokumenteve historike”.

Ngjarja zhvillohet me rastin e botimit të fundit “Evropa Juglindore e pushtuar dhe Italia” në kuadër të serisë “Përndjekja dhe vrasjet e hebrenjve evropianë nga Gjermania naziste 1933-1945”.

Kjo seri mbledh dokumente historike mbi holokaustin, i përkthen ato në gjuhën gjermane dhe i prezanton sipas rajonit të cilave iu referohen. Paneli i përbërë nga dy autorë dhe dy studiues të temës do të paraqesë dhe shtrojë për diskutim dokumentet që iu referohen holokaustit në Kosovë. Pas prezantimit do të ketë kohë për pyetje dhe përgjigje nga publiku i pranishëm.

Ngjarja mbahet të hënën, më 27 nëntor nga ora 15:00 deri në orën 17:00 në Prishtinë, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.