Foto: Ambasada e SHBA në Prishtinë
Ambasada e SHBA-ve Nga Janari Lëshon Vizat në Prishtinë
Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë nis me procesimin e aplikimeve për të gjitha vizat emigruese për banorët e Kosovës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka njoftuar se duke filluar nga muaji janar 2018, do të fillojë me procesimin e aplikimeve për të gjitha Vizat Emigruese (IV), për banorët e Kosovës.
Gjatë viteve të kaluara, aplikuesit e Vizave Emigruese procesoheshin nga Ambasada Amerikane në Shkup, Maqedoni. Pasi që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka për qëllim që të ofrojë shërbime të niveleve të larta për aplikuesit kosovarë dhe është e vetëdijshme për vështirësitë e udhëtimit në Shkup, ajo ka vendosur për zgjerimin e ofrimit të shërbimeve për viza në Prishtinë, thuhet në njoftimin e dërguar nga Ambasada e SHBA-ve.
Vizat Emigruese janë për qytetarët të cilët dëshirojnë të jetojnë përherë në Shtetet e Bashkuara. Vizat Emigruese janë hapi i parë për t’u bërë banor i përhershëm i ligjshëm, apo për t’u pajisur me kartën e gjelbër (green card).
Megjithëse ekzistojnë shumë lloje të Vizave Emigruese, shumica e emigrantëve pajisen me viza në bazë të kategorisë së familjes, apo të punësimit.
Për të qenë të pranueshëm për të aplikuar për Vizë Emigruese, qytetari i huaj duhet të sponsorizohet nga një qytetar amerikan i afërm i ngushtë, ose i afërm i ngushtë rezident i përhershëm i ligjshëm, ose nga një punëdhënës i ardhshëm, thuhet më tej në njoftim.
Sponsori fillon procesin duke dorëzuar një peticion në emër të qytetarit të huaj tek Shërbimi për Shtetësinë dhe Imigrimin në Shtetet e Bashkuara (USCIS). Pas aprovimit të peticionit, aplikuesit do të njoftohen rreth datës së terminit të tyre në një Ambasadë të SHBA-ve jashtë shtetit.
Me aprovimin e Vizës Emigruese, ata mund ta përdorin atë që të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara.