Ambasada e Frances ne Kosove

Ambasada e Francës në Kosovë: Rekrutimi të bëhet në bazë të meritave

Ambasada e Francës në Kosovë ka theksuar se rekrutimi në pozita institucionale në Kosovë duhet të bëhet në bazë të meritave dhe kompetencës profesionale.

“Ambasada e Francës në Kosovë thekson mbështetjen e vet për procesin e rekrutimit në bazë të meritave dhe kompetencës profesionale, të lehtësuar tash e disa vjet nga Ambasada Britanike. Është esenciale për funksionimin e mirë të Kosovës që të respektohet ky proces”, thuhet në publikimin e tyre në rrjetin social Twitter.

Ky reagim erdhi pasi një ditë më parë,  Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në një komunikatë për media ka shprehur shqetësimin për emërimin e personave jo adekuat nëpër pozita të larta qeveritare.

Sipas Ambasadës së ShBA-ve, Kosova ka dështuar të emëroj persona me integritet nëpër pozita të larta publike.

“Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhej në komunikatën e Ambasadës.