Ambasada britanike: Ne rekomanduam 3 kandidatë për kryesuesin e bordit të ZRrE-së

Ambasada Britanike, e cila ka marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka thënë për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ se ata kanë rekomanduar tre kandidatë për këtë pozitë.

“Ambasada Britanike përmes partnerit implementues ka qenë e përfshirë në procesin rekrutues për kryesues të bordit të ZRrE-së. Partneri implementues i ka rekomanduar Qeverisë tre kandidatë që kanë dalë si më të suksesshëm në procesin intervistues. Të gjithë këta kandidatë kanë treguar përgatitje të mjaftueshme profesionale për pozitën e lartpërmendur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Sipas tyre, marrëveshja e bashkëpunimit midis Ambasadës britanike, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës parasheh mbështetjen e  institucioneve të Kosovës në proceset rekrutuese, ndërsa emrat të cilët dërgohen për votim dhe emërimet përfundimtare mbeten gjithmonë në diskrecion të Qeverisë dhe Kuvendit.

Për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, ishin miratuar 4 emra: Petrit Pepaj, Bekim Jakupi, Përparim Kabashi dhe Fadil Ismajli. Dy të fundit ishin hequr në mënyrë të dyshimtë nga lista, ani pse ishin votuar në mbledhjen e Qeverisë.

Hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë rast mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: