Foto: Atdhe Mulla

Ambasada britanike e shqetësuar nga iniciativa e Veselit për tribunalin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur procedurat për formimin e një tribunali ndërkombëtar, i cili do të gjykonte krimet që shteti i Serbisë i ka kryer në Kosovë.

“Këto krime arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë dhjetëra mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova”, ka arsyetuar Veseli nismën e tij.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka krahasuar këto krime me Holokaustin ndaj hebrenjve.

Mirëpo, nisma e kryeparlamentarit Veseli nuk po shikohet me sy të mirë nga ndërkombëtarët e pranishëm në Kosovë.

Në Ambasadën britanike thonë se po ndjekin me shqetësim zhvillimet rreth nismës për një tribunal ndërkombëtar.

Samuel Paice, zëdhënës i Ambasadës britanike, tha për KALLXO.com që është me rëndësi që pretendimet për krime serioze gjatë konfliktit të hetohen nga institucionet e duhura në atë mënyrë që të vendoset si prioritet drejtësia dhe përkrahja për të mbijetuarit, viktimat dhe familjet e tyre.

“Kjo duhet të bëhet sipas sundimit te ligjit dhe jo të shtyhet nga oportunizmi i ngushtë politik”, tha Samuel Paice.