Kërkohet përfshirja e Ambasadës britanike në monitorimin e rekrutimit të bordit të RTK-së

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar kërkesë në Kryesinë e Kuvendit që konkurset për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës, Komisionin e Pavarur për Media si dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të monitorohen nga Ambasada britanike.

KALLXO.com ka siguruar dokumentin i është dërguar Kryesisë së Kuvendit nga Doarsa Kica, kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Në këtë dokument Kica – Xhelili ka njoftuar se në bazë të memorandumit të mirëkuptimit mes Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës me atë të Britanisë së Madhe është marrë vendim në mbledhjen e 22 qershorit që Ambasada Britanike të monitorojë procesin e rekrutimit të pozitave të larta edhe për bordin e RTK-së, KPM-në si dhe KPMSHC-në.

KALLXO.com raportoi se në maj të këtij viti, Bordi i RTK-së u përball me kritika të shumta në lidhje me raportin vjetor të punës dhe shpenzimeve të televizionit publik gjatë vitit 2020.

Tri ditë më parë KALLXO.com raportoi se Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me shumicë votash ka iniciuar shkarkimin e bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Sipas procedurave, shkarkimi i bordit të RTK-së do të shkojë si pikë e rendit të ditës në Kuvend.

Bordi i RTK-së është i përbërë nga Sali Bashota si kryetar, Agron Gashi anëtar, Lirim Geci, anëtar, Fadil Miftari anëtar, Ilir Bytyçi, anëtar, Bajram Mjeku anëtar, Petrit Musolli anëtar dhe Albinot Maloku anëtar.

Një ditë pas inicimit, Ilir Bytyçi anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës kishte ofruar dorëheqje nga kjo pozitë.

Në letrën e dorëheqjes të siguruar nga KALLXO.com, Bytyçi thotë se nuk është i gatshëm të barazohet me veprimet e disa personave që kanë mundur t’i kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes së RTK-së.

“Unë nuk jam i gatshëm të barazohem me personat që me veprimet e veta mund t’i kenë kontribuar përkeqësimit të gjendjes në mediumin publik. Distancohem publikisht nga çdo veprim i kundërligjshëm apo shkelje eventuale të kodit etik e profesional, si dhe të vlerave njerëzor, pavarësisht se kush mund t’i ketë bërë këto”, thuhet në letrën që Bytyçi ia ka dërguar kryesuesit të bordit të RTK-së, Sali Bashotës.

Më herët KALLXO.com ka raportuar se tre familjarë të vëllait të Hashim Thaçit, Ganiut janë punësuar në Radio Televizionin e Kosovës.

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbuluar se në RTK kanë punuar djali, reja dhe vëllau i resë së Gani Thaçit.

KALLXO.com ka raportuar edhe për punësimin e dhëndrit të kryetarit të Bordit të RTK-së.

Liridon Konushefci, dhëndri, apo burri i vajzës së kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Sali Bashota, është punësuar si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.

Që nga viti 2017, vazhdimisht janë nëshkruar memorandume për monitorimin e proceseve të rekrutimit për pozita të larta drejtuese dhe të tjera në shërbimin civil mes Qeveisë, Kuvendit dhe Ambasadës britanike.

Pjesë e implementimit të këtij projekti ka qenë edhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).