Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada Amerikane shprehë shqetësim për emërimet e pakualifikuara në pozita qeveritare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nëpërmjet një komunikate për media ka shprehur shqetësimin, sipas saj, për emërimin e personave jo adekuat nëpër pozita të larta qeveritare.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin thellësisht të shqetësuara nga veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Sipas Ambasadës së ShBA-ve, Kosova ka dështuar të emëroj persona me integritet nëpër pozita të larta publike.

“Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurtë se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë edhe ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka kritikuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për emërimin e Sylejman Selimit për këshilltar të tij.

Vendosja e personave të tillë, sipas Ambasadës Amerikane, dëmton Kosovën që të përparoj në arenën ndërkombëtare.

“Nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”, shkruan në komunikatën dërguar mediave nga Ambasada Amerikane.

Ambasada e Amerikës në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve vendore që t’i marrin seriozisht rekomandimet e kësaj ambasade.

“I nxisim qytetarët e Kosovës, si dhe udhëheqësit e saj për të reflektuar se çfarë fytyre duan që Kosova t’ia tregojë botës. Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit”, thuhet në fund të komunikatës.