Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada amerikane reagon pas urdhërit ekzekutiv të Joe Biden për vendet e Ballkanit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ka reaguar lidhur me urdhërin ekzekutiv të administratës së Joe Biden, për angazhimin e Uashingtonit në luftimin e korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatën e Ambasadës Amerikane thuhet se korrupsioni dëmton politikën, sigurinë dhe ekonominë e SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

Urdhëri i nënshkruar dje nga Presidenti Biden modernizon sanksionet për Ballkanin Perëndimor.

“Korrupsioni dëmton politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe shëndetin ekonomik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerëve dhe aleatëve tanë. Dje Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër të ri ekzekutiv që modernizon regjimin e sanksioneve të Ballkanit Perëndimor për të pasqyruar shqetësimet mbi sundimin e ligjit”, thuhet në komunikatë.

Sipas ambasadës, ky urdhër siguron mjete të reja për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që kërcënojnë stabilitetin dhe veprimet jo demokratike në rajon.

“Urdhëri siguron mjete të reja për t’iu përgjigjur kërcënimeve më serioze ndaj stabilitetit në të gjithë rajonin-korrupsioni, veprimet që minojnë qeverisjen demokratike dhe abuzimi serioz i të drejtave të njeriut”, thuhet tutje në komunikatë.

Urdhëri i ri i nënshkruar përfshinë vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë.

SHBA Intensifikojnë përpjekjet kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor