Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada amerikane : Mohimi i mizorive të luftës ofendon kujtimet për viktimat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave më rastin e 20 vjetorit të luftës në Kosovë.

Ambasada e SHBA-ve përmes një komunikate për media ka thënë se të mohuarit e mizorive dëmton përparimin e një shteti demokratik dhe shumetnik.

Gjithashtu, ata kanë kërkuar që udhëheqësit e Kosovës të përmbahen nga ‘retorika ndezëse’.

“Gjersa Kosova përkujton 20 vjetorin e mizorive të luftës, Ambasada e SHBA-ve shprehë ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Të mohuarit e mizorive ofendon kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë, dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik. Ne poashtu nxisim udhëheqësit e Kosovës nga radhët e gjitha bashkësive që të përmbahen nga retorika ndezëse. Përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com ka raportuar se Ish-ministri serb i Administratës së Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq e quajti masakrën e Reçakut “një trillim” dhe i njëjti pas kësaj deklarate u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila i denoncoi krimet e kryera në Kosovë përfshirë edhe atë të Reçakut, nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me masakrën në fshatin e Shtimes.

Zyrtarja për media e OSBE-së, Mersiha Çausheviq Pozhiq ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se OSBE ishte ndër aktorët kryesorë ndërkombëtarë të përfshirë në përpjekjen për të arritur një zgjidhje paqësore për Kosovën.

“Një pjesë e rëndësishme e mandatit dhe punës së organizatës në terren ishte dokumentimi dhe raportimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë krizës së Kosovës. Në këtë kuadër, Misioni Verifikues i OSBE-së raportoi gjerësisht për këto shkelje, duke përfshirë edhe Raçakun, për shembull përmes dokumenteve të disponueshme për publikun”, thuhet në përgjigjen e tyre përmes postës elektronike.

Haradinaj  pati shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pikërisht për shkak të qëndrimit të saj rreth bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës, sot, 20 vjet pas luftës së fundit, ka miratuar formimin  e Komisionit Parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia