Rektori i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj Foto: UMIB

Alush Musaj rizgjidhet rektor i Universitetit të Mitrovicës

Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), i përbërë prej nëntë anëtarësh, ka votuar në mënyrë unanime për rizgjedhjen e profesorit Alush Musaj, në pozitën e rektorit të këtij universiteti.

Musajt iu vazhdua mandati edhe për katër vite të tjera, ndërkohë që kundërkandidatët e tij ishin, Islam Fejza, Blerim Baruti dhe Qazim Tmava.

Sipas njoftimit të UMIB-it, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ali Topalli, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e rektorit ka shkuar mirë dhe pa asnjë problem.

“I gjithë procesi ka rrjedhur mirë dhe konform rregulloreve pa asnjë problem”, ka thënë ai.

Ndërsa, rektori i porsazgjedhur, Alush Musaj, ka falënderuar anëtarët e KD-së për besimin e dhënë, për ta udhëhequr Universitetin e Mitroviës në këtë mandat.

“Besimi që më kanë dhënë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”, ka deklaruar rektori Musaj.

Mes tjerash, është bërë e ditur se fillimisht studentët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, mandej kanë mbajtur zgjedhjet për këshillat e fakulteteve, dhe së fundi është formuar edhe përbërja e re e senatit.

KALLXO.com dje(20 qershor) kishte raportuar, se sot(21 qershor) do të intervistoheshin katër kandidatët potencial për këtë pozitë.

Profesori Alush Musaj, është rektori i parë i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ai në vitin 2013 fillimisht ishte zgjedhur si ushtrues detyre në kohën kur është themeluar ky universiteti.

Ndërsa në vitin 2015-të, është zgjedhur rektor në zgjedhjet e rregullta. Sipas gjetjeve të organizatës Çohu, Musaj ka qenë sekretari degës së PDK-së në Mitrovicë, si dhe drejtor i Inspeksionit në mandatin e Bajram Rexhepit si kryetar i Komunës së Mitrovicës.

https://kallxo.com/universiteti-i-mitrovices-neser-pritet-ta-zgjedhe-rektorin-e-ri/