Alternativa

Alternativa në Gjakovë akuzon Ardian Gjinin se po detyron kategoritë e liruara me ligj të paguajnë për shërbimet shëndetësore

Partia Alternativa, dega në Gjakovë, po e akuzon kryetarin e komunës, Ardian Gjinin dhe Drejtoreshën e Shëndetësisë në këtë komunë, Adelina Shehu Kola, se kanë urdhëruar menaxhmentin e QKMF-së në Gjakovë, që të marrin pagesa për shërbimet shëndetësore edhe për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, shfrytëzuesit e skemës sociale, invalidët e luftës dhe nxënësit.

“Pagesat ndaj kategorive të lartëpërmendura janë duke u aplikuar tash e disa javë në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjakovës. Ky detyrim i qeverisjes lokale në Gjakovë, rëndon edhe më shumë jetën e vështirë socio-ekonomike të qytetarëve të kësaj Komune, si dhe tregon bajraktarizmin e Aleancës dhe të tjerëve në raport me qeverisjen e Gjakovës”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Tutje në reagim, Alternativa iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, që të hetojnë dhe të dënojnë akterët që kanë sjellë këtë vendim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësië, që sipas Alternativës, të parandalojë këtë akt të jashtëligjshëm ndaj kategorive të liruara nga pagesat për shërbimet shëndetësore.