Foto: Alternativa

Alternativa kërkon integritet të personave brenda institucioneve

Anëtari i Kryesisë së Alternativës, Hasan Preteni në një konferencë për media me temën “Sistemi i drejtësisë, defektet dhe ndryshimet që duhen bërë” tha se edhe pas 20 viteve pak zyrtarë të lartë janë dënuar për korrupsion.

Preteni në emër të Alternativës ka thënë se kërkojnë që Legjislacioni te mos ndryshon pa ekspertize profesionale, dhe të pamundësohet “korrupsioni politik”.

“Për 20 vite liri dhe 11 vite shtet, për korrupsion janë dënuar vetëm dy zyrtarë të lartë, një drejtoreshë e  një ndërmarrje publike dhe një prokurore. Derisa ish-drejtoresha ka ikur nga vuajtja, prokurori i gjorë e vuajti dënimin. E vuajti dënimin sepse filloi të hetojë rastet që nuk është dashur ti hetojë! Ka pasur shumë fillim hetimesh me pompozitet, me përcjelljen e kamerave dhe largim me pranga nga zyrat në mesin e ditës, por, asnjë aktgjykim. Largim e linqim vetëm për arsye politike. Ai ka kërkuar nga Kuvendi që ta realizojë misionin e tij dhe të ftojë të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura për raportim”, tha ai.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që organizimi i prokurorive/gjykatave, në tri nivele, Prokuroria Speciale të shuhet ose të formohet edhe Gjykata Speciale e cila i trajton vetëm rastet e kësaj prokurorie.

“Alternativa kërkon Ligj për Integritetin, që të gjithë personat që bëjnë shkelje të mos jenë pjesë e institucioneve. Integritet do të thotë të mos jesh i korruptuar. Deklarimi i pasurisë, konfiskimi,  deklarimi i rrejshëm. Këta po i ndryshojnë ligjet vetëm me kriju përshtypje se po e luftojnë korrupsionin, por nuk ka asgjë në këtë drejtim. Vitin e kaluar është miratuar Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, në atë kohë është kërkuar të mos u lejohet zyrtarëve të mos punojnë në punën e dyta, të jenë anëtar të bordeve dhe ka qenë e sanksionuar, ndërkaq tani lejohet dhe nuk sanksionohet”, theksoi Preteni nga Alternativa në një konferencë për media të shtunën.