Alternativa jep rekomandime Qeverisë se si të veprojë me komunat e veriut

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka dal sot në një konferencë për media bashkë me nënkryetarin e kësaj partie, Reshat Nurboja.

Kusari-Lila në këtë paraqitje ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me fatin e katër komunave që gjenden në veriun e vendit, kryetarët e të cilave kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës 100 përqind nga Qeveria e Kosovës.

Sipas saj fokusimi i Qeverisë në tema tjera, për të cilën thotë se po merret me nepotizëm dhe tema tjera rrezikon rrëshqitjen e katër komunave të veriut nga administrimi i Kosovës.

Kusari Lila tha se kryeministri nëpërmjet Ministrisë së Administratës është dashur që të deklarohet dhe të ketë një vendim dhe të shpallen zgjedhjet në këto komuna nga presidenti i Kosovës.

“Tash kemi një realitet në të cilën kryeministri i vendit deklaron publikisht se me mbajtjen e taksës parandalohet ndarja e Kosovës, përderisa kemi një realitet të krijuar i cili realisht ka filluar shumë vite më parë dhe i cili nënkupton shkëputje graduale nga kompetencat e Prishtinës të katër komunave të veriut. Me këtë rast Alternativa propozon komunikimin e menjëhershëm me popullatën e katër komunave në veri duke filluar me një grup punues formuar nga Qeveria. Nuk është Millan Radojçiq përfaqësues i serbëve të Kosovës ato takimet që i ka bërë kryeministri apo edhe presidenti. Ai është frikë ndjellës i shqiptarëve dhe serbëve në veri dhe jo që ka ndihmuar por ka penguar procesin e integrimit të tyre”, tha Kusari – Lila.

Sipas saj Qeveria në vend se të humb kohë me mekanizmat jo funksionalë për dialogun me Beogradin duhet urgjentisht të krijojë mekanizma për dialog me serbët e Kosovës.

Kusari Lila thotë se përfaqësimi i serbëve nëpërmjet Listës Serbe duket se i ka dëmtuar interesat e komunitetit serb në Kosovë.

Alternativa kërkon nga Qeveria që të fillojë procesin e dialogut dhe të marr masa si vijon; të sqarojë sa më parë situatën e kryetarëve të dorëhequr në katër komunat e veriut dhe të marr masa për kthimin e normalitetit në këto komuna; Të krijojë planin e punës për projekte konkrete në këto komuna. Qeveria e Kosovës sipas kryetares së Alternativës nuk guxon në këtë fazë të lejojë që realiteti i krijuar në këto komuna të definojë edhe realitetin e ri juridik, i cili mund të jetë shumë e lehtë shkëputja e katër komunave nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas Kusari-Lilës angazhimi për katër komunat me shumicë serbe në veri duhet të përcjellët me kërkesat e vazhdueshme karshi faktorit ndërkombëtar për ngritjen e buxhetit, ngritjen e investimeve dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ne konsiderojmë se e vetmja mënyrë për parandalim të ndarjes është një dialog me serbët e Kosovës dhe integrimin e tyre. Përderisa kemi pasur një ‘luftë’ të liderëve të shtetit nëpërmjet statuseve në Facebook apo përmes mesazheve në akademi përkujtimore kemi parë pak devotshmëri të tyre në raport me projektet konkrete për integrimin e këtyre katër komunave, projekt ky i filluar edhe nga qeveritë e mëhershme dhe asgjë deri më tani nuk ka ndryshuar në këtë qeverisje. Nëse e duam veriun ashtu siç po deklarohemi atëherë është koha për ta trajtuar si pjesë të Kosovës Presidenti kryeministri dhe zyrtarët shtetërore duhet të jenë ata që jo vetëm vizitojnë veriun në përcjelle të forcave ROSU, por do të jenë në veri edhe në përurim të projekteve“, tha Kusari-Lila./21Media