Aliu: Mos t’i presim ndërkombëtarët por ta zbardhim vet masakrën e Dubravës

I mbijetuari tjetër i masakrës së Dubravës, deputeti i LV-së, Liburn Aliu, në seancën e 20-vjetorit të kësaj masakre, tha se kjo masakër është e veçantë nga të tjerat sepse ishte në një ambient të mbyllur.

“Të veçantë këtë masakre e bën vendi dhe mënyra si ndodhi ajo. Masakër në burg ndaj të pa armatosurve dhe të mbyllur, të mbyllur në një hapësirë katërore ku brenda asaj hapësire gjendeshin 1000 të burgosur, të cilët në këto ditë para 20 vitesh goditën dhe u gjuajtën nga katër anët dhe nuk kishin mundësi lëvizje për të shpëtuar”, tha Aliu.

Aliu shtoi se nëse Serbia largon përgjegjësinë nga shumë masakra, kjo e Dubravës e tregon më së miri të kundërtën.

“Nëse Serbia për masakra të shumta në Kosovë përpiqet të hedhë përgjegjësi tek njësitet e caktuara për të cilat gjoja se nuk paska pasur kontroll mbi ta, tek ngjarja e Dubravës dhe kjo e bënë ka qenë e përfshire struktura qeveritare”, tha deputeti i VV-së duke shtuar se për këtë ka fakte e dëshmi dhe dokumente.

Tutje tha se edhe përkundër kësaj ende nuk ka drejtësi për këtë krim si dhe për të gjitha të tjerat nga Serbia.

“As ndërkombëtarët e as ne nuk e bëmë punën që duhej bërë edhe përkundër dëshmive dhe fakteve. Nuk u bë aktakuza dhe kjo bie në përgjegjësi të shtetit dhe autoriteteve ndërkombëtare që të dyja mund të fajësojnë njëra tjetrën dhe sot ne nuk duhet t’i presim ata por të bëjmë punën tonë”, shtoi i mbijetuari i kësaj masakre.

Para 20 vjetësh në Burgun e Dubravës, ishin vrarë e masakruar mbi 150 të burgosur shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe, ndërsa 300 të burgosur të tjerë kanë arritur t’i shpëtojnë kësaj masakre.