Ali Ahmeti për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni

Sipas kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni do të zgjidhet shpejt.

Në intervistën për emisionin “Jeta në Kosovë”, Ahmeti u shpreh se tani është koha që të adresohet kjo çështje e cila ka mbetur e fundit pa u zgjidhur në pakon e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 që i dha fund konfliktit në Maqedoni ndërmjet ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave maqedone.

“Mendoj që është çështje kohe se kur do ta vendosim në tavolinë për zgjidhje përfundimtare”, tha Ahmeti.

“Një marrëveshje e dalë nga lufta, e dalë nga një kompromis dhe pajtim shumë i madh që është bërë mes dy komuniteteve të mëdha nuk ka qenë edhe e lehtë të realizohet në praktikë”, tha ai.