Aleksandër Lumezi: Nuk Mund të Ketë më Prokurori të Politizuar

Presidentja e vendit, Ministri i Drejtësisë, Ambasadori Amerikan në Kosovë dhe Kryeprokurori i Shtetit patën një mesazh të përbashkët- prokurorët e Kosovës duhet ta fitojnë besimin e qytetarëve.

Ky mesazh iu drejtua gjithë prokurorëve të vendit të mbledhur në Konferencën Vjetore të Prokurorëve që u mbajt sot në Prishtinë, konferencë kjo e mbështetur edhe nga Departamenti i Drejtësisë i Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, tha se sfidat për organin e akuzës janë të mëdha, por sipas tij prokuroria ka vendosur të funksionojë ndryshe.

“Kemi zgjedhur ndryshimin si formë të funksionimit, duke ndryshuar thelbin dhe ndryshuar vetëdijen e çdo prokurori për rëndësinë e rolit të tij në shoqëri,” tha Lumezi.

Lumezi tha se krijimin e një sistemi të drejtë ua kemi borxh fëmijëve tanë, ndërsa u bëri thirrje prokurorëve të mos u nënshtrohen ndikimeve.

“Duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se nuk mund të ketë më prokrurori  joefikase, joprofesionale, të politizuar dhe të influencuar,” tha Lumezi.

Presidentja e vendit, AtifeteJahjaga, tha se prokurorët e vendit janë vija e parë e frontit në luftimin e krimit dhe sit ë tillë duhet të jenë të përkushtuar.

“Ju jeni vija e parë e luftimit të krimit në vend.  Ne jemi duke bërë reforma në shoqërinë tonë drejt proceseve të integrimit dhe të nderuar prokurorë, në këtë rrugë duhet të jemi të përkushtuar,” tha Jahjaga.

Jahjaga theksoi se sfidat më serioze me të cilat po përballet Kosova janë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithashtu tha se nuk do të tolerohet edhe rrezikimi i tolerancës në vend nga grupet ekstremiste.

“Nuk lejojmë të sfidohemi nga grupet ekstremiste, e të jemi strehë e këtyre grupeve, e aq më pak të frikësohemi nga ta,”deklaroi Jahjaga.

Mesazh për prokurorët pati edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“E di dhe e ndjej peshën që rëndon mbi ju, e di sa të vështirë e keni punën tuaj, por qytetarët presin shumë nga ju dhe ata juve duhet të ju shohin si mbrojtës të shoqërisë dhe lirisë tonë e të padrejtët të kenë frikë nga ju,” tha Kuçi.

Edhe Kuçi , si Lumezi kërkoi që prokurorët të mos bijnë në presionin  ndikimeve.

“Ndikimi në prokurorë ushtrohet vetëm kur ata e lejojnë këtë, kështu që ju duhet ta mbroni veten nga çfarëdo ndikimi, ashtu siç ua garanton ligji,” tha Kuçi.

Ambasadori amerikan Greg Delawie përmendi korrupsionin, por tha se nuk është këtu për të kritikuar prokurorët.

“Unë nuk kam ardhur këtu të ju kritikoj, por nuk mjafton vetëm të identifikohet një problem. Luftimi i korrupsionit është prioritet për Kosovën dhe për ne,” tha Delawie.

Delawie përmendi gazin lotsjellës të përdorur në Kuvend.

“Gjatë dy muajve të fundit kemi parë në Parlamentin e Kosovës përdorimin e gazit lotsjellës dhe ne kemi qenë shumë të qartë lidhur më këtë- ai nuk është vendi për dhunë. Unë e kuptoj që deputetët të debatojnë dhe mbrojnë interesat e zgjedhësve të tyre, por edhe deputetët duhet të respektojnë ligjin si çdo qytetar tjetër,” tha Delawie.

Punimet e konferencës pas përfundimit të fjalimeve u zhvilluan me dyer të mbyllura, ndërsa i paraparë ishte raportimi i prokurorive të Kosovës dhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës që vijnë nga prokuroritë.