Mytaher Haskuka e Zafir Berisha. Foto: Mytaher Haskuka/Facebook

Aleatët në gjyq: Shefja e kabinetit të Mytaher Haskukës, e padit Zafir Berishën për shpifje

Krenare Koçi, shefe e kabinetit të kryetarit të komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka paditur deputetin e partisë NISMA, Zafir Berishën, për shpifje.

Berisha është drejtures dhe figurë kryesore e NISMA-s në Prizren.

Vetëvendosje, kandidati i të cilës kishte fituar zgjedhjet në komunë në vitin 2017, dhe NISMA përbëjnë koalicionin qeveritar në këtë komunë.

Koçi, përmes përfaqësuesit të saj, avokatit Blerim Mazreku, ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore Prizren.

Padia është protokoluar dhe ka marrë numër të caktuar ndërsa tash pritet caktimi i datës për fillimin e kontestit gjyqësor.

Shefja e Kabinetit të kryetarit Haskuka, e ka paditur Zafir Berishën për shpifje dhe si kompensim të dëmit jomaterial për shpifje kërkon vlerën në shumën prej 20 mijë euro.

Krenare Koçi nëpërmejt padisë, kërkon nga gjykata që të aprovohet padia e saj dhe të vërtetohet se i padituri Zafir Berisha me publikimin e tij në Facebook të datës 27 nëntor 2018, ka bërë shpifje dhe fyerje në dëm të saj.

Deputeti Zafir Berisha në një status të publikuar në Facebook vitin e kaluar e kishte kritikuar qeverisjen e Haskukës në Prizren, ndërsa në qendër të kritikës e kishte vënë vet Krenare Koçin.

“Ne fryma jonë socialdemokrate nuk qëndron pas lojrave të flliqura të Krenare Koçit, hijenave dhe ” komisarve politik ” që qëndrojn prapa z. Haskuka të cilin në bashkpunim me mbetjet e krimit të organizuar të ” Klanit Pronto ” kurdisin çdo konkursë ku paraprakishtë dihen edhe se kush ka me u pranuar në punë. Partneriteti dhe ” kolacioni i heshtur ”, me persona që i kan shërbyer 10 vite bandave, (qytetarët para 1 viti i ndëshkuan me vota ) nuk është në përputhje me pritjen e prizrenasve… ”, thuhet në postimin pa ndërhyrje gramatikore të deputetit.

KALLXO.com ka provuar por Berisha nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë një koment të menjëhershëm rreth kësaj padie.

Zafir Berisha në statusin e tij për të cilin e ka paditur Krenare Koçi kishte thënë se ”edhe pse e kemi diskutuar disa herë më z. Haskukën çështjen e njerëzve me dosje të shumta që janë në institucione të Komunës së Prizrenit, ai me heshtje tashmë po tregohet i pafuqishëm ndaj atyre njerëzve që e rrethojnë, një pjesë e të cilëve nuk ju dihet misioni në institucionet e Komunës së Prizrenit”.

Zafir Berisha në statuin e tij për çka është paditur kishte përmendur edhe bashkëpunimin me PDK-në, parti e cila e humbi kontrollin e komunës në zgjedhjet e fundit të vitit 2017.

“Bashkëpunimi dhe vendosja në krye të komisioneve intervistuese për punësim e njerëzve t PDK-së (të cilët janë me përvojë në manipulime dhe lehtë të shantazhueshëm) pjesa dërmuese e të cilëve i kanë shërbyer krimit të organizuar dhe janë me dosje në organet e drejtësisë, nuk është tregues shpresdhënës se gjendja mundë ndryshojë në interes të qytetarëve”, kishte thënë ai.

Sipas padisë së Krenare Koçit ky postim është marrë nga mediat dhe është publikuar.

E sipas saj kjo përbën shpifje dhe fyerje dhe për këto ajo e mban përgjegjës Zafir Berishënn

“Ai publikimin e ka bërë me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses Krenare Koçi, dhe dëmtimin e imazhit publik të saj”, thuhet në padi.

Dokumenti dërguar gjykatës thotë se Krenare Koçi ka tentuar që ta eliminojë dëmin e shkaktuar nga Zafir Berisha, duke kërkuar përmes avokatit të saj Blerim Mazreku që Berisha ta largojë postimin dhe ta njoftojë publikun se “deklarimi i tij nuk ka qenë i mbështetur në asnjë fakt”.

“Por Zafir Berisha nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, madje e ka njoftuar avokatin e paditëses se është i gatshëm që të përballet në gjykatë”, thuhet në padi.