Foto: Facebook

Albulena Haxhiu Kërkon 1.5 Milion Euro Kompensim nga Portalet

Deputetja Albulena Haxhiu po pretendon se portalet “IndeksOnline” dhe “Gazeta Express” i kanë shkaktuar dëm jomaterial në vlerë 1.5 milion euro gjatë publikimit të artikujve për rëntgenin e saj.

Haxhiu, e cila tashmë ka dorëzuar dy padi në Gjykatën e Prishtinës, pretendon se “IndeksOnline” duhet t’i paguajë asaj një milion euro ndërsa “Gazeta Express” shumën prej 500 mijë eurosh si kompensim për shkrimet ku pretendohej se deputetja e kishte futur gazin lotsjellës në pjesë intime të trupit.

Në padinë e saj, Albulena Haxhiu pretendon se më 20 shkurt 2016 “IndeksOnline” ka kryer shpifje kur ka publikuar lajmin e titulluar “Ekskluzive: Konfirmohet bombola e gazit e fshehur në trupin e Albulena Haxhiut”. Artikulli në fjalë ishte larguar nga portali i cili edhe i kishte kërkuar falje deputetes Haxhiu.

Tre ditë më vonë, po i njëjti portal, duke cituar “Gazetën Express”, kishte publikuar lajmin me titull “IndeksOnline pati të drejtë, Albulena e kishte fshehur gazin në trupin e saj”.

Në padinë e dorëzuar, deputetja Haxhiu kërkon që në fund të procesit gjyqësor “IndeksOnline” t’i paguajë një milion euro në emër të dhimbjes shpirtërore, denigrimit të personalitetit dhe cenimit të dinjitetit.

I kontaktuar nga KALLXO.com pronari i “IndeksOnline”, Faton Shoshi, nuk ka komentuar me arsyetimin se për këtë çështje duhet të konsultohet me kryeredaktorin Besnik Batushën. E ky i fundit ka thënë se nuk mund të deklarohet për momentin për shkak se nuk është në dijeni për padinë. “Nuk mund të flas për diçka që nuk e kam parë“, thotë Batusha.

Nga ana tjetër, Leonard Kërquki, kryeredaktori i “Gazetës Express”, e cila po ashtu është paditur nga Haxhiu për publikimin e teksti me titull “Megjithatë, Albulena Haxhiu e kishte fshehur gazin lotsjellës së trupin e saj”, thotë se qëndrojnë prapa asaj që është publikuar.

“Express qëndron fuqishëm prapa këtij artikulli, pavarësisht padisë së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, zonjës Albulena Haxhiu. Çdo gjë e thënë në artikull është e vërtetë dhe plotësisht profesionale”, pohoi Kërquki.

Kryeredaktori i “Gazeta Express” thotë se publikimi i lajmit ishte në interes të publikut. “Artikullin e kemi publikuar, pasi që kemi qenë të bindur se është në interes të publikut të dijë se si është futur gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për muaj me radhë”, ka thënë Kërquki.

Kërquki ka thënë se Vetëvendosje ka një vendim të brendshëm përmes të cilit nuk lejon asnjë zyrtar të saj të deklarohet për gazetarët e “Gazetës Express”, gjë që ua ka pamundësuar atyre ta bëjnë punën profesionalisht kur bëhet fjalë për shkrimet që kanë të bëjnë me këtë subjekt. Për këtë veprim të LVV-së, “Gazeta Express”, sipas Kërqukit, është ankuar në mekanizmat që merren me të drejtat e gazetarëve.

Dy paditë ndaj “Indeksonline” dhe “Gazeta Express’ janë dorëzuar më 14 mars në Gjykatën e Prishtinës.

Siç shihet në dosjet e siguruara nga KALLXO.com, deputetja Haxhiu ka paguar një mijë euro taksa gjyqësore për t’i paraqitur paditë.