Albright në Prishtinë: Ne i thamë ‘Jo’ dëbimit të qytetarëve nga vendi i tyre

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në qendër të Prishtinës për nder të 20 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, tha se ka kënaqësinë që është në Kosovë me të gjithë qytetarët dhe udhëheqësit.

“Kam kënaqësinë  që jam me të gjithë ju sot këtu. Mburrem me ta gjitha që kemi bërë së bashku. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme ndërmjet lirisë dhe demokracisë. Ne mbizotëruam sepse Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja ishte se ia dolëm, kauza jonë ishe e drejtë”, tha ajo.

Albright shtoi se aleanca i tha “Jo” dëbimit dhe abuzimit të qytetarëve që po largoheshin nga vendi i tyre.

“Aleanca pa një komunitet që abuzohej dhe largohej dhe dëbohej nga shteti i tyre dhe përgjigja ishte “Jo”. Për më shumë  se 11 javë aleanca jonë dhe qytetarët u mbajtën të fortë”.

“Kosova ka ndryshuar shumë. Ju keni formuar parti politike dhe keni mbajtur zgjedhje. Ju keni zhvilluar media të pavarura, keni krijuar sistem gjyqësor, qeveri dhe keni punuar në mënyrë konstruktive me komunitetin ndërkombëtar”, tha ish-sekretarja amerikane e Shtetit.

Albright shtoi se Kosova do të jetë vend plotësisht normal si pjesë e OKB-së dhe plotësisht e integruar në komunitetin euroatlantik.

“Miqtë e juaj janë këtu dhe do të mbesim me besim të lartë që ju do të keni sukses. Ne do të ju mbështesim juve. Shpresoj që Kosova do të jetojë gjithmonë”, tha ajo.

Albright ndau edhe një tregim të sajin me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, 20 vjet më parë.

“Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë. Në mes të natës më thirri ish-presidenti Clinton dhe më tha: planet janë nisur ne po bëjmë gjënë e duhur dhe unë i thash: Po zotëri president ne po e bëjmë gjënë e duhur”, tha Albright.