Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti thërret mësimdhënsit ta vazhdojnë grevën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke folur për grevën në arsim, u ka dhënë mësimdhënësve një propozim për grevën e tyre.

Ai thotë se greva e mësimdhënësve duhet të vazhdoj, mirëpo sipas tij duhet të shtojnë një kusht.

“Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Mësimdhënësit janë hyrë në grevë që nga e hëna e javës së kaluar.

Ata po kërkojnë rritje prej 30 % të rrogës. Kryeministri Haradinaj ditë më parë u ofroi rritje rreth 50-70 euro, varësisht prej kategorive të mësimdhënësve, mirëpo SBASHK-u nuk e ka pranuar këtë ofertë të Haradinajt.

Disa prej kryetarëve të komunave të Kosovës, pas kësaj ofertë të Haradinajt, deklaruan se në komunat e tyre do të filloj mësimi nga dita e djeshme.

Kryetarët e Deçanit, Junikut dhe Mamushës patën deklaruar se do të filloj mësimi, mirëpo KALLXO.com mëson se edhe në këto komuna greva është duke vazhduar.