Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti: Thaçi po na e sjell në lojë Rusinë

Deputeti dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit ka kritikuar përfshirjen e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.

Kurti tha se Kosova po dominohet nga rreziku për ndarje të saj.

“Ndarja e Kosovës që emërohet herë si shkëmbim territorial, e herë si korrigjim i kufirit. Në vitin e kaluar presidenti paralajmëroi kompromis të dhimbshëm, ndërkaq në këtë vit e filloi duke shprehur gatishmëri dhe vullnet për kompromise me Serbinë, në marrëveshjen e cila na qenka afër”, tha deputeti,

Sipas Kurtit, presidenti ose bën “blof” me dinë e zgjidhjes finale dhe pajtimit historik me Serbinë, ose siç tha ai, tashmë ka marrëveshje të fshehtë me Serbinë.

“Shpjegim tjetër nuk ka, por edhe dilema nuk ka, sepse ky presidenti është delegjitmuar. Ajo që kemi sot nuk është dialog për Pazar, sepse nuk është dialog me Serbinë ku Kosova do të ishte subjekt, por veçse Pazar me Serbinë, ku Kosova është bërë objekt”, theksoi Kurti.

Kurti e akuzoi Thaçin për bashkëpunim me Rusinë.

“Presidenti Thaçi e thekson ulësen në OKB pikërisht që të na e sjell Rusinë në lojë sepse ajo është në Këshillin e Sigurimit. Shteti i Kosovës ka bërë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme duke e zëvendësuar Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe me Rusinë”, tha ai.

I pari i LVV-së, shtoi se taksa ndaj Serbinë duhet të mbetet, por qeveria duhet të bie.