Albin Kurti - Kryetar i LVV

Albin Kurti përkujton rënien heroike të familjes Jashari

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përkujtuar sulmin e forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, tashmë 21 vite më parë.

Kurti në llogarinë e tij në ‘Facebook’ ka përshkruar situatën në momentin kur shtëpitë e Jasharajve u rrethuan nga forcat e shumta të ushtrisë serbe.

“Ata kërkonin të ndalnin zemrën e qëndresës shqiptare kundër mizorisë serbe. E kjo zemër e fuqishme e qëndresës së kombit tonë, ishte e përmasave vërtet heroike. Kjo zemër ishte vetë Adem Jashari, kryeluftëtari i lirisë”, ka shkruar Kurti.

“Bashkë me luftëtarë të tjerë, e gjithnjë i pandarë prej Hamzës, Adem Jashari nuk luftoi vetëm disa muaj, apo një vit a dy. Ai e filloi përgatitjen për luftën çlirimtare në fund të viteve ´80, në moshë fare të re, e luftoi, përkundër përndjekjeve nga Serbia, për vite me radhë, qysh prej fillimit të viteve ´90. Të thuash se Adem Jashari ishte UÇK-ja qysh përpara se UÇK-ja të shpallej e të organizohej, nuk është teprim”, thuhet tutje në postimin e liderit të VV-së.

Kurti e quan të ‘patolerueshme’ që diskriminimet të vazhdojnë edhe pas çlirimit të vendit, pasi që sipas tij, dëshmorët nuk e dhanë jetën që disa të kenë më shumë liri e disa më pak.

“Në përmbyllje të Epopesë së UÇK-së, me datën 7 mars, kur shqiptarët kudo që ndodhen festojnë ditën e mësuesve, ata kujtojnë edhe Shaban Jasharin, babain e Hamzës e Ademit, që i mësoi vajzat e djemtë e Drenicës porsi fëmijët e vet, dhe, i mësoi fëmijët e vet të bëhen porsi shqiptarët e historisë sonë të lavdishme, kryengritës të paepur”, ka shkruar tutje Kurti.

Kryetari i VV-së, thotë se me vrasjen e komandantit Adem Jasharit, makineria e luftës e fitoi një betejë, dhe u bë mësues i kombit shqiptar.

“Kështu ky njeri i lindur në 28 nëntor e i rënë në 7 mars, me jetën dhe me vdekjen e vet, i rigjallëroi këto dy data të shenjta, u dha atyre më shumë kuptim. Zemra që Serbia u përpoq ta ndalë, u bë zemra e përjetshme e popullit tonë, e cila rreh pa u ndalur, për çlirim e drejtësi, për pavarësi e jetesë me nder”, thuhet ndër tjerash në postimin e Kurtit, të martën.