Albin Kurti 'ngacmon' Haradinajn në 1 vjetorin e ratifikimit të Demarkacionit

Kryetari i partisë opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një statusi në Facebook ka kujtuar 1 vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tij, me ratifikimin e kësaj marrëveshje, u fitua një karrige kryeministri.

“Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës”, ka shkruar tutje deputeti Kurti.

Rreth 1 muaj para se të ratifikohej kjo marrëveshje, presidenti Thaçi dhe Vujanovic kishin nënshkruar një marrëveshje, ku në mes tjerash thuhej se pas ratifikimit të demarkacionit, palët mund të bëjnë rishikim të vijave ku kanë dyshime.

Ky lloj rishikimi nuk është bërë ende, ndonëse sot bëhet 1 vit që prej miratimit të saj.

Kurti thotë se deputetët janë mashtruar, mirëpo ata që nuk po e pranojnë këtë, sipas Kurtit janë bashkëfajtor.

Demarkacionit me Malin e Zi u votua më 21 mars të 2018, me 80 vota pro. Atë ditë në Kuvendin e Kosovë pati hedhje të gazit lotsjellës dhe arrestime të deputetëve.