Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti: Lobimet e Thaçit e Pacollit kundër-produktive

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se këdo që e takon presidenti Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli është kundër-produktive.

“Sa më shumë që lobojnë këta aq më keq bëhet”, tha Kurti.

Sipas tij krerët e institucioneve janë duke bërë shkelje protokollare.

Ai përmendi kur në takimet jashtë vendit marrin pjesë të gjithë krerët duke filluar prej presidentit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Ministri i Punëve të jashtme.

Shkeljet protokollare, Kurti i quajti të turpshme.

“Janë të turpshme askush nuk të merr seriozisht kur të shohin ashtu”, tha ai.

Sipas Kurtit miliona euro janë dhënë për lobim për anëtarësime të “dështuara” ndërkohë paga mesatare në Kosovë në sektorin publik nuk është as 500 euro e në sektorin privat as 300 euro.

“Lobojnë pa udhëzime paraprake. Si për UNESKO si për Interpol lobojnë.  Nuk mund të lobosh në mënyrë biznismeni për Interpol”, shtoi Kurti.