ARKIV - Nga homazhet e vjetme te pllaka për Mon Balajn e Arben Xheladinin | Foto: KALLXO.com

Albin Kurti kujton protestën që la të vdekur aktivistët Arben Xheladini dhe Mon Balaj

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 e cila la të vdekur dy aktivistë të Vetëvendosjes, Arben Xheladinin dhe Mon Balajn.

Ai përmes një publikimi në ‘Facebook’, ka treguar se më 2 shkurt 2007 ishte bërë publike ‘Paketa e Martti Ahtisaarit’ për statusin e Kosovës.

“Paketë e madhe gjithsesi sepse shumë padrejtësi ishin futur brenda. Shumica e dyfishtë në Kuvend, sundimi ndërkombëtar mbi Qeverinë, shuarja e TMK-së, decentralizmi etnik, eksterritorialiteti fetar, borxhi i jashtëm i Serbisë që na përshkruhej edhe neve. Këto i patëm quajtur gjashtë faqet e padrejtësisë së paketës kubike të Ahtisaarit, në të cilën askund s’figuronte fjala ‘pavarësi’, 37 herë përmendej fjala ‘serb’ dhe vetëm një herë ajo ‘shqiptar’, kur flitej për komunitetet joshqiptare!”, ka deklaruar Kurti.

Tutje i pari i VV-së ka thënë se kjo protestë ishte organizuar për të kundërshtuar padrejtësinë shumëfaqëshe, si dhe shprehte vullnetin e popullit për liri dhe vetëvendosje.

Kurti ka përshkruar se si kishte filluar kjo protestë e mijëra qytetarëve, e të cilës i printe edhe Adem Demaçi.

“Drejt sheshit “Skënderbeu” na doli përballë policia e UNMIK-ut me tyta të gjata të pushkëve çifte. 232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën mbi kokat dhe gjokset e njerëzve paqësorë e të paarmatosur. U vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, u plagosën rëndë me pasoja për tërë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova e Hysni Hyseni, ndërkaq numri i të plagosurve që gjithsej kalonte 80, ishte pesëfish më i lartë sesa i atyre të arrestuar”, përshkruan ai më tej.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se pas kësaj proteste, ‘ndërmjetësi finlandez Ahtisaari ia dërgoi Raportin e tij për Kosovën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon’.

Kurti më tej sqaroi se si Ahtisaari kishte shtuar një faqe në këtë raport, në të cilën ‘kishte përmendur fjalën ‘pavarësi’ për Kosovën, në kuadër të togfjalëshit ‘pavarësi e mbikëqyrur’.

“Në po atë vit OKB-ja ndalon përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saj nëpër botë, kurse një vit më vonë shpallet pavarësia e Kosovës. Sikurse për Kosovën dhe humbjet e vuajtjet e saj të shumta, drejtësia ende mungon edhe për Monin e Arbenin dhe familjet e tyre. Kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme”, ka thënë Kurti krejt në fund.