Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti kujton 2 Korrikun, kërkon ‘Republikë të Tretë’

Sot bëhen 28 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Këtë datë e ka kujtuar i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke u shprehur se me shpalljen e kësaj deklarate, delegatët i dhanë formë dhe përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës.

Mirëpo, as me këtë rast ai nuk ka lënë anash kritikat për institucionet e vendit, duke uruar që të mos ketë organizim për këtë datë.

“Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët”, ka shkruar ai.

Kurti ka kujtuar se tutje në këtë deklaratë përmendet “vetëvendosja politike”.

“Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë. Me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë. Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, “vetëvendosja politike” dhe “demokracia autentike”, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes.

”Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë”, ka përfunduar Kurti.