Albin Kurti: Këtu Jemi Prej Zorit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një prononcim për KALLXO.com pak para se të fillojë marshi protestues i partive opozitare tha se synimi i protestës së sotme është anulimi i marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë e Malin e Zi si dhe dorëheqja e qeverisë.

“Ne kemi kërkuar të anulohen marrëveshjet me Sebinë dhe Malin e Zi. Meqë kjo nuk u bë, ne tani kemi kërkesën edhe për zgjedhje të reja parlamentare”, tha Kurti në këtë deklaratë për Muhamet Hajrullahun.

Duke folur për zgjedhjen e Presidentit të ri, Kurti u shpreh se kreu i shtetit duhet të zgjedhet nga një Kuvend që do të dalë prej zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Kosova nuk e ka luksin për të zgjedhur president të ri me këtë kuvend të vjetër. Kosova duhet të zgjedhë president të ri me kuvend të ri”, tha ai.

Kurti tha se protestuesit që kanë dalë sot në sheshet e Prishtinës nuk kanë dalë aty “prej qejfit”.

“Protesta fillon paqësore, vazhdon paqësore, përfundon paqësore. Këtu i dhunshëm është ky regjim autoritar me të cilin nuk ka as liri, as pavarësi, as barazi”, tha ai.

“Nuk jemi këtu prej qejfit, jemi prej zorit. Duam ta shpëtojmë Republikën dhe kjo qeveri nuk mund t’i shpëtojë popullit”, tha Albin Kurti.

albin kurti1