Albin Kurti kërkon që Kosova të ketë Bankë Investive Zhvillimore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u takua sot me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zekën me të cilin diskutuan rreth politikave ekonomike të sektorit publik dhe privat në vendin tonë.

Albin Kurti, gjatë këtij takimi tha se nevojitet një komunikim më efektiv mes përfaqësuesve të sektorit privat dhe deputetëve të Kuvendit, me qëllim të informimit të dyanshëm dhe harmonizimit të pikëpamjeve lidhur me politikat që mundësojnë fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e ndërmarrësisë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka tha se përkundër disa zhvillimeve pozitive në aspektin e politikave fiskale, ende mbetet shumë punë për të bërë, derisa theksoi se ndjehet i shqetësuar lidhur me nivelin e dialogut mes sektorit publik dhe atij privat, ka njoftuar Oda Ekonomike Amerikane.

Në anën tjetër, sipas Kurtit është e nevojshme që Kosova të ketë një Bankë Investive Zhvillimore e cila do të mbështeste projektet ndërmarrëse, por edhe shfrytëzimin e potencialeve të mërgatës në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Ai poashtu foli edhe për domosdoshmërinë e forcimit të prodhimtarisë vendore, marrë parasysh deficitin e lartë tregtar me të cilin përballet vendi.