Albin Kurti | Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Albin Kurti: Ende nuk jam shëruar

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka njoftuar se është liruar nga spitali dhe se është mirë me shëndet.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se edhe stafi mjekësor është kujdesur mirë për të.

“I falënderohem mjekëve dhe infermiereve në Klinikën Infektive si dhe në atë të Emergjencës në QKUK. Ishin mbi 50 orë të vështira por ndjehesha i sigurt me ta. Ju falënderohem edhe të gjithë juve që më keni dërguar mesazhe inkurajuese. Infermieret Arbëria, Adelina, Arbenita, Merlina, Miradija, Vildanja, Elmerina, Amirja, Eminja dhe kryeinfermierja Lulja, nga Reparti i Intenzivës së Klinikës Infektive, si dhe mjekët Prof. Shemsedini, Dr.Nderimi e Drejtor Hamdiu, me dijen, përvojën dhe kujdesin e tyre, më nxorën nga kjo krizë shëndetësore. Ata ngadhënjyen mbi sëmundjen time, përkundër kushteve të tyre të punës”, ka shkruar Kurti.

Kurti tutje ka shtuar se pavarësisht kësaj do të vazhdojë me terapi.

“Isha i sëmurë, ende nuk jam shëruar. Dy javë pushim e vazhdim i terapisë janë të nevojshme. Por, më vjen turp të them se isha i sëmurë kur kam parasysh e s’i heq dot prej mendjes pacientët e tjerë aty, në gjendje të rëndë, disa edhe shumë të rëndë. Uroj që t’ia dalin të gjithë, të shërohen e të bëhen sa më mirë. Dëshiroj më të mirën për ta e për familjarët e tyre, dhe e di se mjekët e infermieret do të vazhdojnë përditë të shërbejnë me përkushtim për të gjithë të sëmurët”, tha Kurti.