Albin Kurti e Albulena Haxhiu të Lirë

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, mund të marrin pjesë në seancën e parë të Kuvendit që mund të mbahet javën e ardhshme pasi më nuk kanë telashe me masën e sigurisë.

Gjykata e Apelit ka vendosur sot që Kurtit e Haxhiut t’u ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe i ka lënë ata të mbrohen në liri në akuzat për të cilat ngarkohen.

“Kështu kolegji penal prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate ka aprovuar si të bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës të  personave në fjalë, kundër  dy aktvendimeve  të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Kurti e Haxhiu janë arrestuar në nëntor të vitit të kaluar pasi dyshohet se kanë hedhur gaz lotsjellës në seanca të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të kundërshtimit të tyre ndaj marrëveshjeve që qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Serbinë dhe Malin e Zi.

Pasi kanë qëndruar për një muaj në paraburgim, ata ishin lënë në arrest shtëpiak.

http://kallxo.com/albin-kurti-e-albulena-haxhiu-ne-arrest-shtepiak/

Apeli ka ardhur në përfundim se pretendimet ankimore të mbrojtjes janë të bazuara, ngase sikurse del nga shkresat e lëndës, nuk plotësohet asnjeri prej kushteve të veçanta, të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, mbi bazën e të cilave të pandehurve iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

“Kjo për faktin se atyre u dihet identiteti, vendbanimi, si dhe nuk ekzistojnë rrethana tjera të cilat tregojnë, se ekziston rreziku i ikjes, arratisjes, apo përsëritjes se veprës penale”, thuhet në vendim.

http://kallxo.com/ekskluzive-albin-kurti-dergohet-ne-burgun-e-sigurise-se-larte-video/

Ndaj Kurtit, Haxhiut dhe dy deputetëve tjerë, Faton Topalli e Donika Kadaj- Bujupi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për ngjarjet në Kuvend.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/