Albert Krasniqi: Xhavit Haliti të shkarkohet nga posti i Nënkryetarit të Kuvendit

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar deputetin dhe nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, duke i thënë se ky i fundit duhet të shërbejë si shembull i mirë në kuvend pasi që i di gjitha rregullat e kuvendit.

Reagimi i Krasniqit erdhi pak orë pasi Haliti u përfshi në një përleshje në sallën e Kuvendit me deputetin e LDK-së, Arben Gashi.

Me një postim në ‘Facebook’, Krasniqi ka thënë se sipas standardeve të etikës, Haliti do të duhej të shkarkohej nga posti i nënkryetarit.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Albert Krasniqit:

Xhavit Haliti është deputet që 17 vite dhe ka përvojën më të madhe në Kuvend. Ai është zgjedhur në të gjitha gjashtë legjislaturat, dhe në të gjitha prej tyre ka ushtruar postin e Nënkryetarit të Kuvendit.

http://kallxo.com/perleshje-mes-xhavit-halitit-e-arben-gashit-ne-kuvend/

Ai do të duhej të shërbente si shembull i deputetit të përgjegjshëm dhe me integritet të lartë. Seancat e fundit të cilat i ka kryesuar, në vazhdimësi ka keqpërdorur pozitën duke fyer e akuzuar deputetët e opozitës. Provokim i sotëm i sulmeve fizike është i patolerueshëm.

Në një vend me standarde të larta të etikës, Haliti do të duhej shkarkuar nga posti i Nënkryetarit. Meqenëse jemi larg këyre standardeve, e pakta që duhet të bëhet është t’i ndalohet kryesimi i seancave të Kuvendit. Ndërsa deputetët tjerë që përdorin gjuhë denigruese duhet përjashtuar nga seanca nëse nuk tërheqin fjalët.