Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për mashtriim me subvencione - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Unë Jam Palë e Dëmtuar

Në Gjykatën Themelore në Prizren u mbajt seanca lidhur me 13 të akuzuarit për veprën penale mashtrim me subvencione dhe falsifikim.

Në seancën e sotme, i akuzuari Afrim Sallauka duke dhënë mbrojtjen e tij deklaroi se nuk ka aplikuar për subvencione se nuk ka pasur vreshta, pasi që kusht për të aplikuar për subvencione ishte që aplikuesit të kishin vreshta. “Unë jam palë e dëmtuar”, shtoi ai.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani se a ka vreshta, i akuzuari tha se e ka pasur lokalin përballë vreshtave dhe se aty, sipas tij, kishte ardhur një person, i cili i ka ofruar që të marrë tokë me qira.

I akuzuari tha se nuk e di emrin e atij personi.

“Dhe mua më është dukur e leverdishme që të marr 500 euro një hektar në vit. Ai person na ka premtuar që do të na rregullon dokumentacionin për tokën që po marrim me qira, na ka thënë që pasi të kompletohen këto dokumente ju keni të drejtë që të merrni edhe subvencione”, shtoi i akuzuari Sallauka.

Sipas tij, gjithë dokumentacionin e ka rregulluar ai person ndërsa ky vetëm ia ka dhënë kopjen e xhirollogarisë së bankës dhe një vërtetim që e ka tatimin e shtëpisë të paguar.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues se a ka lidhur kontratë për qiranë e tokës dhe sa para i kanë ardhur në xhirollogari, i akuzuari tha se nuk kanë lidhur kontratë dhe se kanë biseduar vetëm gojarisht.

“Sa të holla kam marrë nuk më kujtohet saktësisht por janë diku rreth 1300-1500 euro”, shtoi i pandehuri.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, i akuzuari tha se pas rastit nuk e ka parë më asnjëherë personin në fjalë dhe se edhe nëse e sheh nuk e njeh.

I akuzuari deklaroi se në të gjitha dokumentet ai as që ka nënshkruar dhe për favorin që po na rregullonte dokumentet kam pasur për detyrë që t’i paguaj 500 euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Afrim Sallauka i paraqet organit kompetent të dhëna të pasakta lidhur me aplikimin për marrjen e një subvencioni  që është kusht për marrjen e subvencionit në atë mënyrë që në Suharekë më 23.04.2014 me aplikacionin për pagesa direkte për vreshtat ekzistuese aplikon në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë të Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, duke ia bashkëngjitur dokumentin e falsifikuar “Certifikata e vreshtarit” gjoja se merret me vreshtari dhe fiton nga kjo agjenci subvencionin prej 2.700.00 euro. Ndërsa certifikata rezulton të jetë e personit Bekim Cena nga Rahoveci.

Me këtë ka kryer veprën penale mashtrim me subvencione.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe Ardit Bajraktari, Iljaz Sopi, Alban Sopi, Ermir Sallauka, Veton Kabashi, Afni Palushi, Lulzim Palushi, Xhavid Sallauka, Xhemajl Sallauka, Labinot Telaku, Fatos Hoti, Luan Statovci.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdon nesër, kur do ta japë mbrojtjen Luan Statovci.