Gjykimi i Menderes Sinanit

I Akuzuari: Po më Mohohet e Drejta e Votës

Ai u ankua në gjykatë se nuk ka qasje as në llogarinë e tij bankare pas suspendimit.

“Unë nga dita kur jam arrestuar nuk e di a marr rrogë, nuk kam kartë të bankës, nuk kam qasje në bankë, unë nuk kam qasje në jetë, më është mohuar çdo e drejtë. Tri parë zgjedhje janë mbajtë në Kosovë unë nuk kam pasë të drejtë të votoj, më është mohuar ajo e drejtë,” ishte deklarimi i Sinanit.

Sinani nga viti 2013 ndodhet në paraburgim, ndërsa nga Prokuroria Speciale akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit, dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Pas këtyre ankesave, gjyqtari e pyeti të akuzuarin se a e ka autorizuar dikë nga familja që të marrë informata nga banka.

“Familjarët e mi kanë shkuar në bankë, por ata nuk u kanë dhënë informacion, sepse kanë thënë se Menderes Sinanin është duke e hetuar EULEX-i,” u përgjigj i akuzuari.

Duke iu përgjigjur fjalëve të Sinanit për ankesat, prokurori e pyeti të akuzuarin se pse e paguante një avokat kur kishte mundësi të kishte një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Për këtë reagoi avokati i Menderes Sinanit, Aziz Rexhaj duke thënë se nëse ka nevojë mund tregonte  se sa është paguar nga i akuzuari.

Prokurori i EULEX-it Drew Engel pastaj i parashtroi Sinanit disa pyetje që kishin të bënin me të ardhurat e tij, veturat e tij, shtëpinë dhe pronat tjera.

Prokurori pyeti ish-togerin policor se a punon bashkëshortja e tij në një sallon të flokëve dhe se a merr më shumë se ai? Sinani pranoi se bashkëshortja i punon në atë sallon, por nuk tregoi sa fiton ajo.

Sinani më tutje tha se është pronar i shtëpisë së tij, se ka një veturë “ Mercedes” dhe një tjetër “Dejavu”. Kur u pyet se a është pronar i pjesshëm i një prone në qendër të Ferizajt dhe se a merr para nga ajo, Sinani tha se kjo nuk është e vërtetë, duke mos dhënë sqarime të mëtutjeshme.

Gjatë dëshmisë së tij Sinani që drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt, deklaroi se nuk i ka intervistuar vajzat që ai i quan viktima të trafikimit.

“Intervistën e parë as nuk e kam parë as nuk e kam dëgjuar, intervistën e fundit që e kanë bërë i kam bërë vetëm ‘blic’ dhe vetëm i kam përshëndet hetuesit,” tha  Sinani.

Prokurori kërkoi të dijë nëse hetuesit e kanë shikuar arsimimin dhe të kaluarën e atyre vajzave para intervistimit të tyre, por Sinani e kundërshtoi këtë.

“Shiko, një viktimë e trafikimit nuk shikohet a ka shkollë apo jo, shumica e viktimave të trafikimit janë të pashkolluara. Ne ato duhet t’i trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, në këtë formë as nuk guxojmë me mendu, identifikimi i viktimave të trafikimit është shumë i vështirë. Nëse e shikojmë të kaluarën e një viktime të trafikimit, mund të ketë të kaluar të keqe, por ka arsye se pse është ashtu,” ishte përgjigjja e Sinanit.

Duke jiu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Sinani dha dëshminë e tij për një rast që ka ndodhur në klubin e natës “Internacional” ku është thirrur nga pronari i tij në 05:00 të mëngjesit rreth një gjuajtje me armë.

“Kur kam shkuar në vendin e ngjarjes kafeneja ka qenë e mbyllur dhe nuk ka pasë asnjë person përpos një të dehuri. Ai ishte shumë i dehur dhe ka qenë duke qajtë, nuk mundej të flasë, bënte sjellje palidhje, parkingu ishte i zbrazët. Unë i thashë pronarit të shkojmë të pimë kafe dhe kemi shkuar në një restorant tjetër për të pirë kafe,” vazhdoi ish-togeri i policisë.

Gjykimi i Sinanit do të vazhdojë edhe nesër.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.

http://kallxo.com/situata-te-tensionuara-ne-gjykimin-e-ish-policit/

http://kallxo.com/policet-deshmojne-ne-seance-per-kolegun-e-tyre/

http://kallxo.com/ish-togeri-i-akuzuar-asnjehere-skam-marre-dhurata/

http://kallxo.com/ish-togeri-permend-hagen/