I Akuzuari për Tentim Vrasje Pranon Fajësinë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ishte paraparë që Kadri Shala ta jepte mbrojtjen e tij por ai ka kërkuar që të deklarohet lidhur me pranimin e fajësisë dhe pasi këtë mundësi ia lejoi Gjykata ai ka pranuar fajësinë për tentim vrasje.

Shala në pranimin e fajësisë kërkoi falje dhe tha se është penduar për atë që ka ndodhur.

Lidhur me pranimin e fajësisë u deklaruan edhe prokurori dhe avokati i palës së dëmtuar, duke e mbështetur atë dhe i propozuan Gjykatës që këtë pranim të fajësisë ta pranojë si të ligjshëm, gjë që edhe e bëri trupi gjykues.

Në fjalën përfundimtare prokurori tha se është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë, ndërsa për pranimin e fajësisë nga i akuzuari ai propozoi që të merret si rrethanë lehtësuese.

Fjalën e prokurorit e mbështeti edhe avokati Xhevat Rama, mbrojtësi i të dëmtuarit, duke shtuar se pasojat që i janë shkaktuar të dëmtuarit ende nuk janë sanuar. Po ashtu, ai tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Avokati Besnik Jakupi në fjalën përfundimtare propozoi që Gjykata me rastin e përcaktimit të llojit dhe përcaktimin e dënimit si rrethana lehtësuese të merren pranimi i fajësisë, kërkim-falja publike, pendimi i thellë si dhe premtimi se nuk do të kryejë vepër tjetër penale.

Fjalën përfundimtare të avokatit e mbështeti edhe i akuzuari, duke kërkuar nga Gjykata një dënim sa më të butë.

Trupi gjykues vendosi që shpallja e aktgjykimit të bëhet të enjten.

Prokuroria më datën 30 mars 2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Kadri Shalës duke a akuzuar për dy vepra penale – atë të vrasjes së rëndë në tentativë dhe të armëmbajtjes.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më datën 30 dhjetor 2014 në Prishtinë në selinë e firmës “N.N.B Bedi Nderton”, me dashje duke rrezikuar jetën e punëtores Besime Latifi ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mon Islamaj për shkak të një mosmarrëveshje rreth mospagimit të një borxhi, i pandehuri kishte shtënë me revole dy herë në drejtim të të dëmtuarit duke e goditur në këmbë.