I Akuzuari për Fajde Do Ndërrim të Gjyqtarëve dhe Prokurorit

Gjyqtarja Ajeser Skenderi e njoftoi të akuzuarin se gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për përjashtim të prokurorit, ndërsa ende nuk është vendosur për përjashtim, ose jo të trupit gjykues, ngase këtë kompetencë e ka kryetari i gjykatës që sipas gjyqtares ndodhej në udhëtim zyrtar.

Asllan Veseli nga Ferizaj akuzohet se prej viti 2013 në vazhdimësi dhe në intervale kohore të ndryshme deri me 22.07.2015 kontakton dhe pranon për vete shuma të ndryshme joproporcionale të parave.

Sipas aktakuzës, Veseli ia jep të dëmtuarit nga Prizreni me inicialet A. B. 13 mijë euro me kamatë mujore 10 për qind, ndërsa ky i dëmtuar vetëm kamatë i paguan Veselit 62 mijë euro.

E njëjta i ndodh edhe të dëmtuarit tjetër L. Sh. që për shumën prej 18 mijë eurove të marra, paguan kamatë prej 35 mijë eurove.

Bashkë me Veselin për fajde në tentativë në këtë proces gjyqësor akuzohet edhe për fajde në tentativë.

Fehmije Gashi-Bytyqi, avokatja e të akuzuarit Veseli, tha për KALLXO.com se klienti i saj të dëmtuarve u ka dhënë borxh.

“Prokurori i çështjes konsideroj se nuk ka marrë në konsideratë nenin 7 që është një ndër parimet themelore të Kodit të Procedurës Penale që prokurori i çështjes, përveç provave që janë kundër të pandehurit, duhet të përdorë edhe provat të cilat janë na favor të të njëjtit, e të cilin nen asnjëherë nuk e ka aplikuar,” tha avokatja Gashi-Bytyqi.

I akuzuari refuzoi ta nënshkruajë procesverbalin e seancës së sotme në shenje revolte që nuk është vendosur deri tani lidhur me kërkesën e tij. Veseli ndodhet në paraburgim prej muajit korrik të vitit të kaluar.

Trupi gjykues ndërpreu të gjitha veprimet deri sa të merret vendimi nga kryetari i gjykatës lidhur me kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues.

Sipas aktakuzës, Veseli më 10 qershor 2015 kanosi me armë zjarri të dëmtuarit, duke u thënë “se nëse nuk i pranojnë kushtet e tij, do t’i vrasë”.

Prokuroria akuzon Veselin se më 8 korrik 2015 e detyroi njërin nga të dëmtuarit që ta nënshkruajë një deklaratë te avokati në të cilën thuhej se “nëse nuk i kompenson të hollat në shumë prej 50 mijë euro deri me 30.09.2015, është i pajtimit që një ngastër kadastrale, pronë e të dëmtuarit të kalojë në emër të të akuzuarit”.