Gjykimi për ndërtimin pa leje në Fushë-Kosovë

I akuzuari: Në Kosovë do të ishte Dashur të Rrënohen 50.000 Objekte

Në gjykimin ku akuzohet bashkë me Jakup Dumanin, ish- drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit të Fushë-Kosovës, Atdhe Kabashi foli për numrin e objekteve që sipas tij do të duhej të rrënoheshin në Kosovë.

Atdhe Kabashi, pronari i kompanisë “Kabashi AM” në këtë proces gjyqësor akuzohet për punime ndërtimore të kundërligjshme, ndërsa Jakup Dumani ngarkohet për keqpërdorim detyre, ngase nuk veproi për ta ndërtuar objektin pa leje të ndërtuar nga kompania e Kabashit.

Pyetjes së kryetares së trupit gjykues, Nora Bllaca-Dula se a ke menduar se do të të rrënohet objekti, Kabashi iu përgjigj me fjalët se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë.

“Unë as që kam menduar që do të rrëzohet objekti, sepse po të ishte ashtu do të ishte dashur të rrënohen në Kosovë së paku mbi 50.000 objekte dhe kurrë kjo në histori nuk ka ndodhur në praktikën e Kosovës”, tha i akuzuari.

Më tutje, Kabashi theksoi se gjatë fazës së ndërtimit i ishte lëshuar fletëpagesa për leje, si dhe ishte konstatuar se objekti ishte në pajtim me kushtet e ndërtimit.

Kabashi tha në gjykatë se pas pranimit të vendimit për ndërprerjen e punimeve nga inspektorët, i kishte ndërprerë ato për 1-2 ditë, por më pas kishte vazhduar punimet pa lejen e askujt nga komuna.

Muhamet Humolli, avokati i të akuzuarit Dumani e pyeti Kabashin se a e ka takuar ndonjëherë Jakup Dumanin gjatë fazës së ndërtimit.

“Unë nuk e kam njohur në atë kohë Jakup Dumanin përveç inspektorëve të cilët kanë dalë në terren dhe nuk e di se a ka dalë Jakup Dumani në terren”, tha i akuzuari Atdhe Kabashi.

Kabashi deklaroi para trupit gjykues se ndihet i pafajshëm duke i bërë të ditur trupit gjykues se “nuk është se kam punuar pa kurrfarë dokumentacioni”.

Më 4 maj pritet të jepet fjala përfundimtare në këtë proces gjyqësor.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës, Jakup Dumani, ngarkohet me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” gjatë viteve 2013-2014 për shkak të një objekti të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Atdhe Kabashi akuzohet se gjatë viteve 2013 – 2014 në cilësinë e pronarit të firmës “Kabashi AM”, me seli në Prishtinë, ka vepruar ne kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, pasi në mënyrë të kundërligjshme pa leje ndërtimi ndërtoi objektin banesor në zonën kadastrale në Fushë-Kosovë.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-ish-drejtorit-te-inspektoratit-te-fushe-kosoves/

http://kallxo.com/inspektorja-akuzuari-nuk-pati-leje-ndertimi/