Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari në Gjermani, Seanca në Prishtinë

Nuk ka pasur kushte për t’u zhvilluar seanca e gjykimit në të cilën të akuzuar për armëmbajtje pa leje janë Armend Sadiku dhe Dijedon Halili, ngase ky i dyti nuk u paraqit në gjykatë.

Gjyqtari Arben Hoti tha se gjykata nuk ka dëshmi se i akuzuari e ka pranuar ftesën për këtë seancë, ndërsa i akuzuari Armend Sadiku në gjykatë tregoi se Dijedon Halili ndodhej në Gjermani dhe sipas tij ai së shpejti do të kthehet në Kosovë.

Kryetari i trupit gjykues u detyrua që ta shtynte seancën gjyqësore për datën 1 dhjetor 2016, ndërsa të akuzuarit Dijedon Halilit gjykata do ti dërgojë prapë ftesë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2014 ngriti aktakuzë kundër Armend Sadikut dhe Dijedon Halilit për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, më 22 janar 2014 rreth orës 23:15 në Rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë në afërsi të Mensës së Studentëve, tash të akuzuarit kur makina e tyre u ndal nga policia në një pikë kontrolli, e pranuan se kishin me vete nga një thikë.

Në aktakuzë thuhet se thikat u konfiskuan pastaj nga policia.