Maqedonasit në protestë kundër smogut. Foto: Ilin Nikolovski / Anadolu Agency

Akuza mes Partive për Smogun Vdekjeprurës

Teksa ndotja e ajrit në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë mbetet në nivele alarmante, duke nxitur thirrje nga ambientalistët për të vepruar, partia qeverisëse VMRO DPMNE është përpjekur ta hedhë fajin për smogun vdekjeprurës tek autoritetet lokale të drejtuara nga opozita.

Socialdemokratët e LSDM-së opozitare kanë kërkuar ndërkohë një qasje më të plotë për të frenuar ndotjen e ajrit, duke akuzuar VMRO DPMNE-në në pushtet se nuk ka bërë asgjë në dhjetë vitet e fundit për të adresuar këtë çështje.

“Qeveria e re e përgjegjshme maqedonase do ta trajtojë me seriozitet këtë problem në sesionin e saj të parë”, tha LSDM në një deklaratë për shtyp, duke shtuar se nëse ajo formon qeverinë e re, gjë për të cilën po kryen negociata jozyrtare me partitë e tjera, do të ndërmarrë masa konkrete.

Këtu përfshihet transport publik falas për të frenuar përdorimin e makinave personale dhe ndalim të të gjitha aktiviteteve të ndërtimit në qytete gjatë dimrit.

“Ne gjithashtu do të shtojmë nivelin e gjelbërimit që kërkon ligji në qytete, do të ofrojmë subvencione dhe kushte të favorshme që kompanitë të instalojnë filtra, të ofrojmë gaz natyror për 32 qytete në Maqedoni sipas shembullit të Kumanovës dhe Strumicës dhe të lehtësojmë përshtatjen e energjisë diellore në familje”, tha LSDM.

Për disa vite, nivelet e ndotjes në Shkup dhe në qytete të tjera kanë arritur nivele rekord në muajt e dimrit.

Veçanërisht problematik është niveli i lartë i grimcave PM10, të cilat kalojnë në aparatin e frymëmarrjes dhe konsiderohen si një nga ndotësit më të këqij të ajrit. Për shkak të sasisë së vogël ato mund të penetrojnë mushkëritë dhe dihen se shkaktojnë kancer dhe sëmundje të tjera.

Gjatë dimrit ato arrijnë në 360 pikë. Sipas standardit europian të cilësisë së ajrit, kjo është shtatë herë më e lartë sesa niveli normal dhe mjaftueshëm për të deklaruar një paralajmërim shëndetësor.

Partia VMRO DPMNE, e cila shpreson të kryesojë qeverinë e re pas rezultateve të ngushta të zgjedhjeve të 11 dhjetorit, e ka përqendruar vëmendjen vetëm te dy qytete të drejtuara nga opozita si Kumanova dhe Strumica.

Progres-raportet e përvitshme nga Komisioni Evropian prej disa vitesh kanë nënvijëzuar nivele serioze të ndotjes nga grimcat PM10 në Maqedoni.

Për të treguar se e kishte seriozisht luftën ndaj ndotjes, qeveria në 2013 kërcënoi me burg shefat e fabrikave që shkelnin rregullimet për ndotjen.

Në 2014, qeveria gjithashtu refuzoi kërkesat e industrisë për të shtyrë afatin ligjor për pajisjen e ndotësve të mëdhenj me filtra nga 2014 në 2019.

Më vonë qeveria e konsideroi fushatën një sukses. Megjithatë, filtrat e rinj në fabrika nuk e kanë ulur nivelin e ndotjes së ajrit.