Burimi Kallxo.com

Aktori Veton Osmani i pakënaqur me trajtimin e sulmit ndaj tij nga menaxhmenti i TKK-së

Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka përmbyllur gjatë ditës së premte, 15 shkurt 2019 çështjen e sulmit fizik ndaj aktorit të TKK-së, Veton Osmanit të ndodhur në maj 2017 në bufen e këtij teatri.

Udhëheqësi artistik i TKK-së Agon Myftari dhe aktori i Trupës Rezident të TKK-së, Shkëlzen Veseli kanë marrë vërejtje me shkrim nga menaxhmenti i TKK-së, për sulm fizik ndaj aktorit Veton Osmani.

Por, me këtë masë të menaxhmentit të TKK-së nuk është pajtuar i dëmtuari Veton Osmani, i cili ka pohuar për KALLXO.com se ka hapur rast civil në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Vërejtjet me shkrim të menaxhmenti të TKK-së ndaj të lartcekurve kanë ardhur pas fuqizimit të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të dhjetorit të 2017, përmes së cilit Agon Myftari dhe Shkëlzen Veseli ishin shpallur fajtor për sulm fizik ndaj aktorit Veton Osmani, më 23.05.2017 në bufen e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së, ka konfirmuar për KALLXO.com, se në mbledhjen e KD-së të TKK-së e mbajtur, të premten më 15 shkurt 2019 janë shqiptuar vërejtje me shkrim ndaj Myftarit dhe Veselit.

“Ndaj të dyve janë shqiptuar vërejtje me shkrim”, ka thënë për KALLXO.com, Fisnik Ademi, kryetar i KD-së të TKK-së.

Ndërsa Veton Osmani, që sipas vendimit të gjykatës të dhjetorit të 2017 ishte sulmuar nga eprori dhe kolegu i tij, ka pohuar për KALLXO.com se vendimin që ka marrë KD i TKK-së ndaj, siç ka thënë ai, sulmuesve të tij, është shumë i lehtë, duke marrë parasysh natyrën e sulmit dhe dëmin që atij i është shkaktuar qoftë në aspektin moral apo profesional.

“Megjithatë, unë kam bërë një padi civile në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Myftarit dhe Veselit, pas vendimit të 24.10. 2018, të kësaj gjykate përmes së cilit, vendimi për dënimin ndaj të lartcekurve dhënë nga kjo gjykatë në dhjetor të 2017, shpallet i plotfuqishëm”, ka thënë Osmani.

Myftari dhe Veseli nuk janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me rastin.

Në dhjetor të 2017, Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtor Shkëlzen Veselin, aktor rezident në TKK dhe Agon Myftarin, udhëheqës artistik në TKK për sulm fizik ndaj Veton Osmanit, duke i dënuar me gjobë prej 500 eurosh përmes një urdhëri ndëshkimor. Ndërsa tek në tetor të 2018-ës ky vendim është bërë i plotfuqishëm.