Arton Muhaxheri, aktivisti i VV-së që kaloi në PDK. Foto: Facebook.

Aktivisti i Vetëvendosjes Kalon në PDK

Sekretari i derisotëm organizativ i Vetëvendosjes në Pejë ka bërë një kthim drastik në angazhimin e tij lokal politik duke kaluar në partinë kundër të cilës ka punuar deri më sot, PDK.

Arton Muhaxheri që thotë se ka qenë pjesë e Vetëvendosjes për gjashtë vjet, njoftoi përmes një deklarate se nuk është pjesë e këtij subjekti që nga 1 prilli i këtij viti.

“Vendimi për t’u larguar… vjen si rezultat i shumë pakënaqësive të krijuara në vazhdimësi si ne nivelin qendror ashtu edhe ne nivelin lokal mirëpo vitin e fundit ato kanë qenë të patolerueshme”, ka thënsë muhaxheri në një deklaratë në profilin e tij në facebook.

Ai tha se angazhimi i “njerëzve të konsumuar” në politikë ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të jetë, siç është shprehur, deponi e mbledhjeve të njerëzve që vijnë nga subjektet e tjera ku nuk kanë pasur respekt.

“Vetëvendosje është koncepti dhe vlera në të cilin kam besuar, por të cilën sot nuk po e njoh as vetë sepse ajo tashmë ka rrëshqitur në një dimension tjetër”, ka thënë Muhaxheri.

Ai madje ka kritikuar edhe metodat e përdorura nga Vetëvendosje në qendër gjatë muajve të kaluar përfshirë edhe përdorimin e gazit lotsjellës për t’i penguar seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Përdorimi i tymit dhe gazit në Kuvendin e Kosovës në të parën herë ka qenë simpatik për të shprehur revoltën kundër “Marrëveshjeve” por vazhdimi i veprimeve të tilla ka qenë shqetësues jo vetëm për mua si strukturë e Lëvizjes Vetëvendosje por për të gjithë qytetarët e vendit, madje më këto veprime pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ka qenë aspak e mirë për të mos thëne ka qenë shqetësuese” thotë Muhaxheri.

Ai ka falënderuar kryetarin e Degës së PDK’së në Pejë, Xhavit Halitin, duke shpresuar ta ketë marrë “vendimin e duhur’ për t’iu bashkuar kësaj partie.

Zyra e Vetëvendosjes në Pejë i tha KALLXO.com se ata nuk kanë koment për largimin e Muhaxherit.