Një murale e presidentit rus Putin dhe presidentit amerikan Trump ku shkruhet “Kosova është Serbi” në një lagje në Beograd. Foto: Natalia Zaba/BIRN

Aktivisti Serb Përballet me Akuza pas Grindjes për Muralin për Kosovën

Aktivisti djathtist serb Misha Vaçiq përballet me akuza për kërcënimet që dyshohet se i bëri Jelena Pajoviq van Reenen – një aktiviste e Fondacionit Shtëpia e Shoqërisë Civile – në një mosmarrëveshje në Facebook mbi një murale që u shfaq në Beograd.

Ajo i tha BIRN se ngriti akuza kundër Vaçiq më 12 dhjetor për shkak të rrezikut të sigurisë së saj personale të ardhur prej Vaçiq.

“Van Reenen lutju Zotit që asgjë të mos i ndodhë imazhit [të Vladimir Putin dhe Donald Trump]. Siç thonë fëmijët: “e dimë se ku jeton, e dimë se ku fle,” shkroi Vaçiq në Facebook më 8 dhjetor.

Ai iu përgjigj postimeve në të cilat Pajoviç van Reenen dënoi shfaqjen e një muraleje të presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të zgjedhur të SHBA përpara një kopshti dhe premtoi se do të qeraste këdo që vendoste ta mbulonte atë.

“Me këtë doja të tregoja se qytetarët e Beogradit të Ri nuk ndihen mirë me këtë,” tha ajo për BIRN.

Vaçiq tha për BIRN se megjithëse diskutimi i tij në Facebook me të nuk ishte i këndshëm, ai thjesht po i jepte asaj ca këshilla.

“Ajo nuk ka asnjë arsye pse të shqetësohet. Ishte thjesht këshilla ime miqësore, sepse njoh disa vendas dhe shumë njerëz i vlerësojnë këto murale dhe e kanë mjaft përzemër pikturimin e tyre; doja të shmangia çdo reagim të pakëndshëm,” tha Vaçiq për BIRN.

Vaçiq së fundmi u punësua nga Zyra për Kosovën e qeverisë serbe, gjë që shkaktoi shumë polemika mes OJQ-ve dhe grupit të të drejtave në dhjetor kur uebsajti Insajder publikoi lajmin se ai punonte për një zyrë qeveritare.

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën më 23 dhjetor mohoi që Vaçiq punonte për departmentin e tij por një javë më vonë pranoi se Vaçiq ishte një punonjës.

Aktivisti i krahut të djathtë është i njohur për pjesëmarrje në veprime të tilla si Marshimi Vidovdan, një pelegrinazh 14-ditor nga Beogradi në Kosovë.

Më herët ai u përfshi në protesta të dhunshme kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, ku ambasada e SHBA-së u godit nga zjarri.

Ai është përfshirë edhe në protesta në mbështetje të serbëve të akuzuar për krime lufte, përfshirë ish-liderët serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.

Në 2013, Gjykata e Shkallës së Parë në Beograd e dënoi atë me katër vite burg me kusht për diskriminim të komunitetit LGBT, për sulm ndaj një oficeri policie dhe posedim të një arme të paligjshme. Megjithatë në 2015, gjykata e reduktoi dënimin në dy vite.

Çështja aktuale po shqyrtohet nga prokuroria për krim të teknologjisë së lartë, por ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në kohën e publikimit.

Judita Popoviq, avokate e specializuar në kërcënimet online i tha BIRN se sapo akuzat dërgohen në prokurori, çështja shkon më parë në polici.

Pas hetimit të policisë, prokurori vendos nëse do të hapet një hetim ligjor. Sipas ligjit serb nuk ka afate përfundimtare për procedura të tilla. Ndëshkimi për fajtorët mund të përfshijë burg me kusht.