Gjykimi i aktivistëve të "Vetëvendosjes" për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Aktivisti i LVV-së Largohet nga Seanca e Shoqërohet në Polici

Aktivisti i Vetëvendosjes” Arianit Beqiri është larguar nga policia prej seancës ku Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi po akuzohen për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit 2016.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Shkodran Hoti përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se Beqiri është arrestuar teksa po merrte pamje nga seanca gjyqësore.

“Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Arianit Beqiri, i cili ishte prezent me ekipin e mediave të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën gjyqësore ndaj katër aktivistëve. Arrestimi tij ka ndodhur teksa po merrte pamje nga seanca gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Hotit.

Edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti-Haziraj e konfirmoi për KALLXO.com largimin e Beqirit nga seanca.

“Është kërku nga gjykata që të largohet nga salla ku po mbahej seancë. Tani policia është duke u marrë me rastin”, tha Ahmeti- Haziraj.

Gazetari i KALLXO.com që është duke përcjellë seancën e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” ka thënë se Beqiri është larguar nga salla për shkak të mosrespektimit të urdhrit të gjykatësit që seanca të mos transmetohet drejtpërdrejt.

Katër aktivistët e “Vetëvendosjes” që po akuzohen për terrorizëm u arrestuan më 30 gusht të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/gjashte-te-arrestuar-per-sulmin-ne-kuvend/

Shkrimet që lidhen me sulmin në Kuvend mund t’i lexoni këtu.