Nga aksioni i policisë për arrestimin e të dyshuarve për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Aktivistëve të VV-së u Vazhdohen Masat e Sigurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar paraburgimin edhe për një muaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” Atdhe Arifi e Egzon Haliti dhe arrestin shtëpiak Adea Batushës e Frashër Krasniqit.

Kjo gjykatë e ka liruar Petrit Ademin nga masa e arrestit shtëpiak, duke ia shqiptuar edhe për një muaj paraqitjen në stacionin policor.

Lajmin për vazhdimin e këtyre masave e konfirmoi për KALLXO.com Emrush Kastrati, avokati i Egzon Halitit.

Avokati Kastrati paralajmëroi se do të ankohej ndaj këtij vendimi të gjykatës.

Vazhdimin e masave ndaj aktivistëve të saj e dënoi Lëvizja “Vetëvendosje” me anë të një reagimi.

“Ky vendim është kryekëput politik e arbitrar. Arbitrariteti në këtë rast përcillet  më shkelje flagrante të procedurave penale e gjyqësore. Gjatë këtyre 3 muajve nuk është paraqitur asnjë provë kredibile që i lidh aktivistët me veprën për të cilën po akuzohen e hetohen,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Pesë aktivistët e partisë më të madhe opozitare po hetohen në lidhje me sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/

Këta aktivistë bashkë me Astrit Deharin që vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren u arrestuan më 30 gusht.

http://kallxo.com/publikohen-emrat-e-te-arrestuarve-per-bomben-ne-kuvend/

“Kujtojmë po ashtu se nga ky proces i padrejtë gjyqësor brenda ambienteve të burgut aktivisti Astrit Dehari ka humbur jetën në rrethana të pasqaruara, e për çfarë deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi,” thuhet më tutje në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Masat e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak për Atdhe Arifin, Egzon Halitin, Adea Batushën e Frashër Krasniqin nuk kanë ndryshuar dhe vazhdojnë që nga 1 shtatori.