Aktivistët protestojnë kundër ndezjes së fishekzjarreve (FOTO-VIDEO)

Dhjetëra qytetarë, aktivist të shoqërive civile dhe ambientalist, janë mbledhur në afërsi të Bibliotekës Kombëtarë në Prishtinë, për të protestuar kundër ndezjes së fishekzjarreve sonte në mbrëmje në koncertin e organizuar nga ProCedit-Bank, ku do të performojë këngëtarja nga Shqipëria Elvana Gjata.

Ata po synojnë që me çdo kusht nuk duhet të ndodhë ndezja e fishekzjarreve, pasi që sipas tyre një gjë e tillë paraqet rrëzim për qytetarët, dhe shkakton ndotje të ambientit.

Luan Hasanaj nga organizata ‘Let’s Do It Kosova’ njëri nga protestuesit, ka thënë se një sasi prej një tonësh e cila është lejuar nga MPB-ja është në kundërshtim me ligjin.

“Ligji nuk e lejon që një ton fishekzjarre të ndizen, sepse për një aktivitet civil çfarë është ky sonte ligji e lejon vetëm 10 kilogram fishekzjarre. Prandaj ne do të mundohemi ta ndalim ndezjen e tyre, sepse paraqet rrezik sepse është në afërsi të qytetit, në zonë të gjelbër dh enë afërsi të Bibliotekës Kombëtare”, ka thënë Hasanaj.

Në mesin e aktivistëve protestues është edhe deputeti nga LVV, Sali Zyba. Ai ka thënë për KALLXO.com se do të mundohen t`i ndalojnë fishekzjarret, pasi kjo paraqet rrezik për qytetarët.

“Është përgjegjësi qytetare dhe kam dalë sepse jemi të shqetësuar për sigurinë e qytetarëve, sepse tashmë qytetarët kanë të drejtë të ndihen të shqetësuar pasi që vet prezenca e një sasie kaq të madhe e eksplozivit që është këtu paraqet rrezik”, ka thënë deputeti Zyba.

Në anën tjetër, Ministria e Ambienti përmes një njoftimi për media ka njoftuar se është duke e përcjellë me kujdes reagimin e OJQ-ve mjedisore të cilat janë kundër ndezjes së fishekzjarreve.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po e përcjellë me vëmendje reagimin e OJQ-ve mjedisore dhe palëve të tjera të interesit në lidhje me paralajmërimin se gjatë një koncerti të një banke në Prishtinë do të ndizen një sasi e konsiderueshme e fishekzjarreve. Parimisht, MMPH është kundër secilit aktivitet që si rezultat i tij ka degradim të mjedisit dhe ndotje të ajrit. Dhënia e lejeve për përdorimin e fishekzjarreve në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Ligjin Nr. 04/L-022  PËR PËRDORIM CIVIL TË EKSPLOZIVËVE dhe kështu organ kompetent për dhënien e këtyre lejeve është Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e MMPH-së.

Me tej në njoftimin e Ministrisë thuhet se “MMPH beson që gjatë dhënies së lejes për përdorimin e këtyre fishekzjarreve  janë zbatuar të gjitha kriteret e kërkuara sipas këtij ligji, duke pasur në konsideratë edhe pasojat në mjedis”, përfundon njoftimi.

Ndryshe KALLXO.com ka raportuar gjatw ditws se Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë leje Bankës ProCredit për hedhjen e një ton fishekzjarreve.

https://kallxo.com/mpb-ia-lejon-procredit-bank-es-1-ton-fishekzjarre/

Pasi që aktivistët mjedisorë kosovarë kanë bërë thirrje për bojkot të koncertit të këngëtares Elvana Gjata që pritet të mbahet të shtunën në mbrëmje në Prishtinë, duke thënë se fishekzjarrët e paralajmëruara rrezikojnë njerëzit dhe kafshët, MPB ka thënë se kjo bankë ka leje për hedhjen e tyre.

Në përgjigjet e dërguara për KALLXO.com zyrtarë të MPB-së kanë thënë që përdorimi i fishekzjarrëve lejohet me ligjin për përdorimin civil të eksplozivëve dhe se kjo ministri i ka dhënë leje PCB-së për hedhjen e një ton fishekzjarrësh.

“Në këtë rast, ministria ka dhënë lejen për përdorimin e fishekzjarrëve në oborrin e Bibliotekës Kombëtare,  kompania posedon pëlqimin e Bibliotekës dhe Komunës së Prishtinës për mbajtjen e evenimentit (këtu është përfshirë edhe koncerti dhe ndezja e fishekzjarrëve)”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë BIRN.

Tutje thuhet se eveniment i njëjtë është mbajtur edhe viteve të kaluara, ku në vitin 2017 janë përborur 3000 kg fishekzjarre, ndërsa këtë vit është zvogëluar kjo sasi.

“..duke mare parasysh edhe çështjet e ambientit dhe të sigurisë, për  këtë vit ministria e ka aprovuar lejen me sasi të kufizuar prej 1000 kg”, thuhet në përgjigje.

Më pas ministria thotë se kjo sasi prej 1000 kg bruto, llogaritet sasia e letrës, kartonit, gipsit dhe dheut që përbëjnë fishekzjarrët, kurse sasi neto te barutit këtu mund te ketë rreth 60 kg.

https://kallxo.com/aktivistet-kercenojne-me-protesta-ndaj-koncertit-me-fishekzjarre-te-procredit-bank/