Foto: Ilustrim

Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve kundërshtojnë strehimoren e qenve në Prizren

Një strehimore për qentë endacakë nuk po duket ide e mirë për aktivistët në rrjetin e organizatave ‘Të bashkuar për kafshët’.

Në tërë Kosovën ka filluar projekti për menaxhimin e qenve endacakë të udhëhequr nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ky projekt përfshin kapjen, vaksinimin, sterilizimin dhe lëshimin e qenve në hapësirat ku janë marrë.

Megjithatë,Komuna e Prizrenit me në krye Mytaher Haskukën ka vendosur që të ndërtojë një strehimore për qentë endacakë për të cilën janë ndarë 35 mijë euro.

Sipas aktivistëve, kjo komunë do duhej të mjaftohej vetëm me projektin e AUV, pasi sipas tyre Kosova ende nuk është  e gatshme për strehimore të mirëfillta.

http://kallxo.com/prizreni-ndan-35-mije-euro-per-strehimore-te-qenve/

“Po ju rikujtojmë që qentë të cilët ju mendoni t’i strehoni aty, do të kenë nevojë konstante për ushqim kujdes veterinarik për periudhë kohore 10- 15 vjet (sa është jetë gjatësia e tyre).  Deri tani, Kosova ka pasur përvojë mjaft të keqe me strehimore, rastin konkret e kemi me atë të Komunës së Graçanicës, ku e njëjta është shndërruar në një kamp të vdekjes si pasoje e keq menaxhimit të fondeve dhe trajtimit mizor ndaj qenve të strehuar në të ashtuquajturën strehimore.”, thuhet në letrën që ata i kanë dërguar Haskukës.

Ata sugjeruan që komuna ti përmbahet projektit afatgjatë që sipas tyre është zgjidhja e vetme momentale.

“Prandaj kërkojmë nga ju si Kryetar i Komunës së Prizrenit, që ta aplikoni si të vetme metodën CNVR në mënyrë konsistente dhe afatgjate sepse kjo është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemit të qenve endacakë. Bazuar në praktikat e deritanishme, krijimi i strehimoreve në Kosovë nuk është zgjidhje”,  thuhet tutje në reagim.