Foto: Facebook

Aktivistët e VV-së Akuzojnë Policinë për Brutalitet

Sadri Ramabaja, Qëndron Kastrati dhe Drilon Pireva pretendojnë se janë keqtrajtuar nga Policia dhe janë arrestuar padrejtësisht në protestën e 1 shtatorit kundër Demarkacionit.

Ramabaja, i cili deklaroi se Policia kishte përdorur dhunë të panevojshme mbi aktivistët, i quajti “të sëmura psiqikisht” deputetet që kërkojnë dënimin e Vetëvendosjes.

“Deputete pa tru ose me tru të shpërlarë, deputete gati të sëmura psiqikisht por edhe individë të mediave kërkojnë veprim kaq të ashpër ndaj një organizate që ka bërë shumë për rikthimin e shpresës te një pjesë e rinisë sonë”, deklaroi Ramabaja në një konferencë për shtyp në të cilën ishin të pranishëm edhe dy aktivistë të tjerë të VV-së.

Ndërkaq, Qëndron Kastrati ka theksuar momentin kur sipas tij policia e ka goditur kur ka qenë i shtrirë në tokë.

“I lidhur dhe i shtrirë për toke mua më kanë pyetur se a kam luftuar në Kosovë dhe pastaj më godasin në kokë”, tha Kastrati.

Në anën tjetër, aktivisti Drilon Pireva ka akuzuar PK-në se i ka shkaktuar lëndime serioze për të cilat pretendon se ka edhe dëshmi.

“Kam pasur lëndim të brendshëm në sy goxha serioz. Unë mendoj që Policia atë ditë kanë qenë shumë brutale, kanë qenë të gjithë pa numra edhe pse protesta ka shkuar mirë”, tha ai.

Mirëpo, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha demantoi këto akuza sepse sipas tij raportet e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë treguar se trajtimi ndaj të arrestuarve ka qenë njerëzor.

“Në këto raste duhet t’u referohemi edhe raporteve të KMDLNJ-së meqenëse ankesa të tilla ka pasur edhe me rastin e arrestimit të të dyshuarve për sulmin në Kuvend dhe nga KMDLNJ-ja ka dalë që trajtimi ka qenë konform rregullave dhe ligjit, që do thotë akuza të tilla nuk qëndrojnë”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Më 1 shtator është organizuar protestë afër Kuvendit të Kosovës në kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

KALLXO.com ka përcjellë LIVE të gjitha zhvillimet e asaj dite.

http://kallxo.com/live-dita-e-demarkacionit/

Protesta përfundoi e qetë pasi që Projektligjin për Marrëveshjen e Demarkacionit Qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës i seancës së Kuvendit.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/