AKTIV: Çdo i treti qytetar i komunitetit serb mendon të largohet nga Kosova

Sipas anketës së fundit të OJQ-së AKTIV, çdo i treti pjesëtar i komunitetit serb do të largohet nga Kosova brenda një periudhe 3-vjeçare.

Organizata joqeveritare tregon se anketa është zhvilluar me serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës veç veriut.

Shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb që mendojnë të largohen nga Kosova, thonë se do të zhvendosen brenda 3 viteve.

“Ndër të anketuarit që shprehën dëshirën për t’u larguar nga vendi i tyre i banimit, 56% thanë se planifikojnë ta bëjnë këtë në tre vitet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e OJQ-së.

Veç tjerash, anketa ka nxjerrë edhe të dhëna të tjera rreth asaj se sa prej tyre pritet të qëndrojnë.

“Në bazë të hulumtimit u zbulua se vetëm 32% të njerëzve të anketuar, të cilët ishin mes moshës 18 dhe 30, shprehën dëshirën të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën në vendin e tyre aktual. Një numër proporcionalisht i ngjashëm i të anketuarve pohuan se ata ose kishin vendosur për t’u larguar (35%) ose që ishin duke e  marrë parasysh seriozisht atë (33%)”, thuhet në komunikatën e AKTIV.

Gjithashtu, thuhet se 48.5% e këtyre të rinjve janë shprehur se shkaku kryesor i migrimit është papunësia, ndërsa 19.5% i kanë përmendur standardet më të mira të jetesës në vendet tjera si arsye për t’u larguar nga Kosova.